Nga Mero Baze
Nuk di sa është përfundimtare që drejtuesit e zonave që janë bërë publik sot nga opozita, do të jenë anëtarë të listës në Tiranë. Dyshimi im është se kjo nuk është një listë përfundimtare, por një skemë për të pritur formimin e koalicionit.
Nëse është vërtet përfundimtare, atëhere Partia Demokratike mund ta mbajq shënim këtë, si listën më të dobët të historisë së saj, me personazhe të dorës së tretë dhe të konsumuar si të tillë.
Edhe pse është paradoksale ta thuash, nga pikëpamja organziative, më i miri i gjithë listës është Flamur Noka, dhe nuk e lavdëroj se e kemi personazh të gazetës, por se në raport me ata të tjerët, është më i aftë.
E vetmja prurje e re politike e listës, është Belind Këlliçi, kryetari i Forumit Rinor, i cili ka sens të vihet ne provë për shkak të pozicionit të lartë politik që ka.
Por fjala vjen, nuk e di çfarë gjë të re mund të sjellë Aldo Bumçi, i cili që kur ka hyrë më 2005-n, dukej sikur ishte bërë pishman që kishte hyrë në politikë, kurse më 2021, duket sikur përton të dalë, se s’ka ça bën në shtëpi.
Nga ana tjetër, degëdisja e Grida Dumës në zonën Rrogozhinë- Kavajë, një zonë rurale krejt jashtë profilit të saj filozofik dhe meditues të kohëve të fundit, ja kufizon asaj aftësitë shprehëse dhe komunikuese me elektoratin, duke ja çuar dëm gjithë investimin intelektual.
Albana Vokshin po ashtu e ka sjellë si detyrim statutor meqë është kryetare e Forumit të Grave, dhe që siç është në traditë në PD, është dhe figura më e urryer nga gratë e PD. Por ndoshta bën punë tek burrat.
Agron Shehaj dhe Alfred Rrushaj janë dy biznesmenë seriozë dhe mund të ndihmojnë fushatën me para. Duket që janë kontigjenti i kunatit, tek zgjedhjet e të cilit nuk dyshoj, po ishte për punë lekësh.
Kjo listë do të ketë natyrisht dy emra të rëndësishëm në krye, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, që do mbushin pjesën politike të saj. Por ata janë të identifikuar si figura për gjithë listën kombëtare.
I vetmi shpjegim është nëse Lulzim Basha pret ende Ilir Metën për një listë të përbashkët dhe e ka mbushur listën me personazhe rezervë të dorës së tretë, pasi nëse bëhet lista e përbashkët, deri tek numri 16 nuk i bie as gjysmës së këtyre radha të jenë në listë. Po të shtojmë se brenda listës do ketë vend deri te numri 10 për Shehin, Mediun e Idrizin, shanset zvogelohen.
Kjo bën sens që Basha ta ketë si provokim këtë listën, për t’i thënë Metës dhe aleatëve, ose uluni, ose nisa fushatën.
Nëse ata ulen, Basha këta i sposton më kollaj, se nuk bëjnë rezistencë. Problemi është, se kur mendoj çfarë fati qyl ka Aldo, mund t’i mbeten në derë.