Një shaka pa kripë apo gabim pa dashje, por që me siguri nuk është pëlqyer nga lexuesit, sidomos fëmijët. Gazeta norvegjeze Aftenposten ka shkruar se Babagjyshi i Krishtlindjeve ka vdekur, duke i publikuar nekrologjinë.
“Babagjyshi i Krishtlindjeve, lindur më 1788, vdiq më 3 dhjetor në Nordkapp. Funerali do të zhvillohet në Polin e Veriut”, shkruan gazeta në faqen e saj në internet.
Njoftimi është hequr menjëherë më pas dhe gazeta ka kërkuar ndjesë, duke thënë se një gabim në procedurat e brendshme ka bërë që nekrologjia e rremë e 227-vjeçarit Santa Klaus të publikohej në sistemin dixhital.