Deputeti i PS, Taulant Balla ka folur në Kuvend për “ligjin për azilin” duke përgëzuar Ministrinë e Brendshme dhe duke uruar që opozita ta mbështesë.
Nuk hezitoi të thumbonte opozitën jashtëparlamentare dhe t’i jepte mesazh partive të reja që të mos ndiqnin politikën e Bashës duke i çuar njerëzve letra në shtëpi me pyetjen “Ç’halle keni?”.
Sa i përket pretendimeve për problemet në Librazhd, Balla tha se nuk do të kandidonte si deputet nëse nuk do të kishin ujë të pijshëm.
Ndërsa u shpreh se po punojnë për rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza. “Ligji për azilin është tejet i rëndësishëm. Përshëndes Ministrinë e Brendshme për punën e mirë për sjelljen e këtij ligji në këtë vend dhe besoj se edhe opozita ta mbështesë sepse përmbush një prej detyrave të shtëpisë.
Më vjen mirë që opozita parlamentare po merr pjesë në këtë zgjedhje për Kuvendin e Shqipërisë dhe përfaqësues tuaj vizitojnë Shqipërinë në vende që nuk keni qenë më parë për të kërkuar vota, ashtu sic po bën dhe partia juaj nënë.
Të paktën, ju partitë e reja nuk po bëni gabimin e partisë që është në opozitë për 7 vite duke i çuar letra nëpër shtëpia njerëzve për ti pyetur: “Ç’halle keni?”
Basha është fati ynë si kundërshtar, por fati i keq për shqiptarët. Shpresoj që të krijoni besim, por lutem që të mos bëni gafat si Luli. Nuk ka 700 liqene Belshi, do të doja të kishte, por nuk i ka dhe sa i përket programit të Lulit, dua t’ju them disa çështje.
E para, i them të gjitha familjeve që janë në skemën e ndihmës ekonomike, Basha ka në plan ta heqë. Shanset që Basha të marrë drejtimin e qeverisë janë të barabarta me shanset që ekipi i Belshit në futboll të shpallet kampion i Shqipërisë.
Në vitin 2021 tentojnë të kthejnë një politikë që avantazhon të pasurit dhe defavorizon të varfërit, është një ogur i keq për opozitën.
97% e shqiptarëve taksohen më pak, vetëm 6% taksohen më shumë dhe biznesit të vogël do i them që është angazhim dhe fakt që ata që kanë xhiro deri në 140 milionë lekë të vjetra nuk paguajnë tatim fitimi. Kjo është politikë mbështetëse ndaj biznesit të vogël.
Sa i përket çështjeve që ngriti Hajdari, nëse në Librazhd nuk do të kishte ujë të pijshëm, nuk do të kandidoja për deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Prej mbështetjes të atyre njerëzve të thjeshtë, kam vazhduar prej vitit 2005 në atë zonë dhe do vazhdoj të jem aty se marrëdhënia me ta është pune. Sa i përket ujit të pijshëm, pas vitit 2013, kemi rikonstruktuar tërësisht rrjetin e ujit të pijshëm.
Jemi në proces investimi dhe për rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza. Duhet të ishte bërë më shpejt, por Edi Rama u zgjodh në 2013 në krye të vendit.
Sot janë 7.2 milionë euro që investohen nga qeveria gjermane dhe në fund të këtij procesi, Librazhdi dhe Prrenjasi do ketë rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza më të mirin”, deklaroi Balla ne Kuvend!
/a.r