Kreu i qeverisë u pyet nga gazetarët pas një mbledhje në seli me drejtuesit e PS në qarqe për apelin e ambasadores amerikane Juri Kim dhe theksoi se nga ana e PS do zbatohet ligji dhe se kush gënjen në vetëdeklarim ka përgjegjësi individuale.
Sa i përket listës së kandidatëve për deputetë për 25 prillin, Rama tha se është në proces dhe sigurisht lista përfundimtare do të jetë ajo që do të deklarohet kur të çohet në KQZ.
“Është process dhe sigurisht lista përfundimtare do të jetë ajo që do të çohet në KQZ. Ne kemi ligjin zbatojmë ligjin, përgjegjësia e kujdo që gënjen në vetëdeklarim është personale. Partia nuk është polici që të hetojë kush është i kriminalizuar. Nuk kemi asnjë mundësi të ngrejmë salla operative nëse dikush fsheh diçka në lidhje me dokumentacionin e tij”, deklaroi Rama.
Kryeministri u pyet edhe për emra të veçantë, si Gledion Rahovica që ka kaluar nga LSI tek PS, por theksoi se emrat janë çështje e procesit.
“Nuk bëj komente për emra të veçantë sepse emrat e veçantë janë çështje e procesit të vazhdon. Në fund do të dalë lista duke u bazuar dhe tek puna që secili bën deri tani që flasim. Duke u bazuar tek një skuadër, kështu që është e kotë të merremi me emra të veçantë”, tha shefi i maxhorancës.