Drejtori i fushatës elektorale të PD-së, Alfred Rushaj përmes një videomesazhi ka sqaruar një pjesë të programit ekonomik të demokratëve.
Ai thotë se PD do të ulë çmimin e energjisë elektrike për 710 mijë familje.
Rushaj gjithashtu u shpreh se me anë të këtij programi ekonomik, PD do financojë 100% të interesave të kredive për 20 mijë familje të reja.
“Nga kjo sallë Jona, lançuam programin Shqipëria Fiton. Pjesë e saj është edhe programi për familjen. Cili është investimi kryesor për ty si e re për të krijuar një familje? Për këtë ne do të financojmë 100% interesat e kredive për 20,000 familje të reja. Do të japim 3 mijë lekë në muaj për çdo fëmijë të lindur për 5 vite radhazi. Do të rrisim pagat e 36,000 arsimtarëve dhe 36,000 familje arsimtarësh do të përfitojnë nga kjo. Ne do të ulim çmimin e energjisë elektrike për 710 mijë familje. Ne do të ulim taksat dhe çdo i punësuar do të ketë më shumë para në xhepat e tij për familjen e vet” – tha Rushaj.
Ditën e djeshme, ish-deputetja Jorida Tabaku shpjegoi se si do të mbështeten bizneset përmes programit ekonomik. Tabaku gjithashtu tha se PD do të paguaj stazhin apo praktikat e 10 mijë të rinjve që të punësohen në bizneset private, pra biznesi nuk do të paguaj asgjë për kualifikimin e tyre.
Disa nga pikat kryesore të programit ekonomik të PD, për të cilin Basha tha se janë dashur 2 vite për ta hartuar, është hapja e 110 mijë vendeve të punës, rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në 36 mijë lekë, (edhe pse më herët kishte premtuar se do e bënte 400 euro), taksë 9% të fitimit mbi të gjitha bizneset me një xhiro vjetore mbi 14 milionë lekë të reja , totali i taksave dhe tarifave vendore i bizneseve të vogla e të mesme jo më i lartë se 0.5% e xhiros.
/a.r