Ekspertët e torturave në Ministrinë e Punëve të Brendshme gjatë kohës së komunizmit e dinin se ndjenja e çnderimit është poshtëruese për një femër, shkruan gazeta Panorama. Ajo e mposht krenarinë e saj dhe e bën të nënshtrohet.
Prandaj, edhe vepron pa hezitim në këtë drejtim. Nga disa të burgosur shkodranë tregohen rrëfenja të vërteta mbi përdorimin e kësaj metode torturimi që punonjësit e Sigurimit ushtronin mbi disa gra e vajza të të pushkatuarve, të arratisurve e të burgosurve. Shumë herë atyre u kishte hasur sharra në gozhdë, kishin ndeshur rezistencën e vendosur të këtyre femrave, që përpara nderit kishin pranuar vdekjen, duke u hedhur nga dritaret e shtëpive ose që pas përdhunimit ishin vetëvrarë.
Vetë ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Hilmi Seiti, (i cili më pas do të vdiste mizorisht nga dora e Sigurimit të Shtetit), këtë lloj torture, që i falte kënaqësi, e kishte metodë të vazhdueshme pune. Tregojnë se ai ngjitej me shkallë natën dhe futej nga dritarja në shtëpinë e ndonjë gruaje të vetmuar dhe mbasi kryente punë, nën kërcënimin e revolverit, e detyronte të nënshkruante deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin.
Ai kishte arritur të shtinte në dorë një artiste të re e të bukur, shumë të njohur në qytetin e Shkodrës, që i përkiste një familjeje me të arratisur, të pushkatuar e të burgosur. E mbante si mantenutë dhe si agjente personale, aq sa kishte rënë shumë në sy dhe ishte bërë objekt bisedash. Po ashtu, Llambi Peçini, kur ishte kryetar i Degës së PB në Fier, me këtë mënyrë torture kërkonte t’i nënshtronte disa femra prej familjesh “të prekura” politikisht, si dhe disa të internuara.
Një rast tjetër është ai i Lezhës e Mirditës. Punonjësi i Sigurimit njihej nga fshatarët e zonës me nofkën “Toger Baba”. Përdorte dhunë të tmerrshme. I fuste vajzat në një thes, lakuriq, e brenda fuste edhe një mace. E qëllonin më pas macen dhunshëm në mënyrë që t’i çirrte gratë e shkreta. Ky rast ekstrem pati ankesa nga gjithë banorët e fshatit dhe qeveria, për të larë duart, e ekzekutoi dhunuesin.
Panorama