Nga Alfred Peza
Dëgjohen gjithmonë e më shpesh ankesa nga opozitarët tanë, në lidhje me rezultatet e sondazheve në mediat e ndryshme, të cilat kanë të gjitha vetëm një pikë të përbashkët: Fituese e 25 prillit, rezulton gjithmonë PS dhe Edi Rama.
Edhe në sondazhet e mediave që identifikohen si më pranë qeverisë, por edhe në shumicën e tyre që janë totalisht opozitare me të, përfundimi është po i njëjtë: PD dhe Lulzim Basha, LSI dhe Monika Kryemadhi rezultojnë sistematikisht humbës.
E bukura ka ardhur më pas kur fajin për këtë, si vetë liderët e partive të “Opozitës së Bashkuar”, si zyrtarët e tyre të tjerë ashtu dhe propaganda e opinionistët pranë tyre, nuk e shohin tek vetja. Kurrën e kurrës. Asnjëherë nuk shihen si përgjegjës për këtë “lexim” që po i bëhet opininionit publik, as Kryetari demokrat e as kryetarja e LSI. As Sali Berisha dhe as Ilir Meta.
I vetmi fajtor i identifikuar deri tani publiksht, ka qenë dhe me shumë gjasa do të mbetet deri në fund, institucioni i sondazhit. Të gjitha sondazhet, pavarësisht se janë bërë nga kompanitë më të mira të perëndimit, konsiderohen të gabuara. Të shitura ose të blera. Të pasakta ose të kurdisura në prapaskenë nga fituesi i përhershëm i tyre.
Askush nuk ka patur deri tani guximin dhe me gjasë as nuk ka për ta patur, derisa këto sondazhe të përkthehen edhe në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, që ta vendosi gishtin mbi plagën e madhe të opozitës. Mbi gabimet e pafalshme që po bën lidershipi i saj.
Duke mos dalë e bashkuar, e unifikuar, me një koalicion parazgjedhor dhe me një listë të përbashkët kandidatësh për deputetë përballë mazhorancës socialiste, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi po dëshmojnë se vendosin partinë mbi opozitën. Vendosin interesin e tyre të ngushtë personal, mbi interesin e popullit opozitar. Vendosin kalkulimin e thjeshtë matematikor, mbi frymën e madhe të ndryshimit, që i paraprin gjithmonë rrotacionit të pushteteve.
E në mungesë të kurajos për ta thënë këtë të vërtetë të madhe, opozitarët tanë janë gati të besojnë, çdo broçkull që i ndihmon të mbajnë përpara syve një “gjethe” si alibi momentale. Por, që kurrën e kurrës nuk i shpëton dot nga e vërteta që ndodhet në “pyllin” e madh prapa saj.
Fajin opozitarëve tanë nuk ia kanë sondazhet, por liderët e tyre që po shohin sesi po i “harliset” para syve çdo natë nëpër ekrane, humbja e madhe që kanë mbjellë gjatë gjithë këtyre 7-8 viteve të fundit në opozitë.
Disa muaj më parë, Hannah Jane Parkinson kishte bërë një shkrim shumë interesant në “The Guardian” bazuar mbi mrekullinë e shprehjeve frazeologjike, që e shpjegojnë edhe këtë situatë më Shqipëri. Ajo që i shkon më shumë opozitarëve tanë në këtë rast, është shprehja angleze; “a bad workman always blames his tools”. E cila në shqip përkthehet: “Punëtori i keq, ua hedh gjithmonë fajin, veglave.”
Ndërsa një shprehje popullore në rusisht është pak më e vrazhdë, por ndoshta është edhe pak më afër të vërtetës sot në Tiranën politike. Ajo përkthehet fjalë për fjalë: “Nuk ta ka fajin pasqyra, që ke atë surrat”. Ndërsa në shqip më pranë të qenurit diçitura e kësaj situate, në raport me qëndrimin ndaj sondazheve, mund të jenë shprehjet frazeologjike: “Nuk ke çfarë ti bësh gomarit, i bie samarit”. Ose: “Nëse të bie unaza, fajin ta ka gishti”, etj.
Fajin për këtë situatë ku ndodhet sot opozita, nuk ia kanë sondazhet, por lidershipi i tyre. E kanë fajin të gjitha ato sjellje, qëndrime, veprime dhe vendime të cilat kanë sjellë këtë realitet në të cilën ajo ndodhet sot. Ndaj opozitarët më të kthjellët po e pranojnë, se PS e Edi Rama janë më afër fitores së mandatit të tyre të tretë qeverisës, si asnjëherë tjetër. Një rezultat ky që do të ndodhte për herë të parë në historinë e post komunizmit në Shqipëri.
E për këtë fajin nuk e kanë as mediat, as kompanitë e poll-eve që ato kanë kontraktuar dhe aq më pak rezultatet që e nxjerrin opozitën, humbësen e madhe të zgjedhjeve të pranverës. Ndërsa propaganda e saj, nuk ka se çfarë ti bëjë Bashës, Berishës, Metës dhe Kryemadhit dhe i bien… sondazheve!