Policia e Lushnjës i ka vënë prangat një 18-vjeçari dhe një vajze 16-vjeçare, pasi akuzohen se janë autorët e dhunimit të një të moshuare, të cilës do i vidhnin banesën.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë.
Sipas bluve, “2 shtetas kanë hyrë në banesën e shtetases L. Z., 64 vjeçe, i kanë hedhur sprajt lotsjellës në fytyrë, kanë ushtruar dhunë ndaj saj dhe e kanë mbyllur atë në një dhomë të kësaj banese. Më pas kanë kontrolluar në banesë për sende me vlerë, por nuk kanë gjetur dhe janë larguar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit u ngrit grupi hetimor dhe pas një pune të mirorganizuar operative dhe profesionale u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i 2 autorëve:
J. K., 18 vjeç dhe K. B., 16 vjeçe, të dy banues në Lushnjë”.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale sprajti lotsjellës që ata kishin përdorur me qëllim realizimin e vjedhjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim.
g.kosovari