Është vënë nën prangat e Policisë drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Drejtorinë Rajonale Berat, Ervin Nelaj.
Mësohet se urdhri për arrestimin e zyrtarit është lëshuar pas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe policisë.
Policia thotë se as një hetimi 9 mujor u finalizua operacioni policor i koduar “Aluizni”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për Ervin Nelaj, 38 vjeç.
Ky shtetas dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit.
Njoftimi i Policisë / Berat:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Aluizni”, për goditjen e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat dhe SPAK-u.
Pas një hetimi 9-mujor u finalizua operacioni policor i koduar “Aluizni”, në kuadër të të cilit u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin E. N., 38 vjeç, banues në Berat, me detyrë drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Drejtorinë Rajonale Berat.
Ky shtetas dyshohet se gjatë ushtrimit të detyrës ka përvetësuar shuma parash nga persona të ndryshëm, me qëllim pajisjen e tyre me dokumentet e lejes së legalizimit.
Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive.
/a.r