Reshjet e orëve të fundit kanë rritur sipërfaqet nën ujë në Shkodër. Sipas bilancit të bërë nga Bashkia e Shkodrës këtë të martë rezultojnë të përmbytura 2065 ha tokë.
Në fshatin Obot i cili ka mbetur pa energji elektrike, mund të kalohet vetëm me varkë lundruese.
“Dita sot është më e përkeqësuar se asnjë ditë tjetër. Sot nuk kalohet as me makinat e larta të ushtrisë. Kanë ardhur vetëm 8 ton misër përgjatë 18 ditëve. Për momentin kërkojmë vetëm bazë ushqimore për bagëtitë”.
Rrëshqitja e dherave në aksin Prekal-Kir-Breg lumi ka sjellë izolimin e 3 fshatrave në zonën e Dukagjinit. Për të shkuar në shkollë, fëmijët janë të detyruar të kalojnë në një urë të amortizuar mbi lumin e rrëmbyeshëm të Shalës, mbi shpinën e prindërve duke rrezikuar jetën.
Përveç bllokimit, banorët thonë se vuajnë mungesën e energjisë elektrike prej disa ditësh. Edhe në Dajç situata e rënduar e përmbytjeve ka çuar në evakuuimin e gjësë së gjallë.
Ndërsa në Shijak situata është përmirësuar, lumi është futur në shtratin e tij dhe uji është tërhequr plotësisht.
Por në Katundin e Ri dhe Vardardhë, reshjet e rëna gjatë natës e kanë përkeqësuar gjendjen duke bërë që rrugë, oborre, shtëpi, biznese si dhe qindra hektarë tokë të jenë nën ujë.
/a.r