Protestat kundër orarit të shtetrrethimit 21:00 me 04.30 nuk janë ndalur as orët e fundit në Holandë. Për të tretën natë radhazi, qindra manifestues u përleshën me policinë në qytetet e kryesore të vendit përfshirë Amsterdamin, Hagën, Roterdamin, etj.
Brenda një nate mbi 180 protestues u arrestuan pasi sulmuan e plaçkitën dyqane e dogjën automjete. Kryeministri Mark Routte tha se protesta kishte kapërcyer lirinë e shprehjes, ndërsa i quajti aktet e dhunës si vepra penale.
Protestuesit thonë se shtetrrethimi, që nuk ishte vendosur ndonjëherë në vend që pas Luftës së Dytë, ishte i tepërt pasi shumica e aktiviteteve jo jetike janë të mbyllura prej Tetorit.
Shifrat e pandemisë në këtë vend vazhdojnë të bien, ashtu si në Britani të Madhe. Gjermania bën përjashtim nga kjo tendencë me numrin e viktimave që vazhdon të jetë në rreth 1 mijë.
Ekspertët thonë se pavarësisht rënies së shifrave të të infektuarve, në disa rajoneve ku niveli i infektimeve është tepër i lartë si në rastin e Saksonisë, spitalet janë të mbingarkuara dhe mjekët e kanë të pamundur t’u shpëtojnë jetën të gjithë të pacientëve në gjendje të rëndë.
Megjithatë qeveria nuk përjashton mundësinë e lehtësimit të masave të ashpra kufizuese, tani që niveli i infektimeve ditore është reduktuar ndjeshëm.
/a.r