Reshjet e shiut gjatë natës kanë shkaktuar sërish probleme në disa zona të fshatrave në Fushë-Krujë.
Dalja nga shtrati e lumit zezë dhe Ishëm ka shkaktuar përmbytjen e tokave bujqësore, ndërsa ka edhe banesa të rrethuara nga uji.
Fshatrat Derven, Mallkuç, Murqine, Bilaj ndodhen prej dy ditësh nën pushtetin e ujit.
Një banor i zonës tregon se situata është e përsëritur thuajse çdo vit.
“Kjo nuk ka ndodhur vetëm këtë vit, është thuajse gjithmonë. Sa herë ka reshje del lumi. Askush nuk ka vënë dorë. Këtu bëhen gërmime. Kemi shumë dëme në bujqësi”, tregon ai.
Gjithashtu shqetësuese mbetet situata edhe në Elbasan për shkak se rrezikohet dalja e përroit të Zaranikës nga shtrati.