Një ditë pas atenatit në Durrës, ku mbeti i vrarë 32-vjeçari Jetmir Bregu, i njohur edhe si Ilir Kuçi, policia ka administruar kamerat e sigurisë se disa bizneseve pranë vendit të ngjarjes.
Për shkak të erresirës dhe motit të keq, hetuesit thonë se pamjet nuk janë të qarta, por po analizohen me qëllim identifikimin e autorëve.
Për të hedhur dritë mbi motivin, policia ka sekuestruar celularin e viktimës me qëllim analizimin e thirrjeve telefonike apo mesazheve, ndërsa ka marrë dëshmitë e familjarëve, personave që kishin njohje me viktimën si dhe deshmitarëve okularë në momentin e atentatit me qëllim zbulimin e motivit të krimit të rëndë.
Pavarësisht hetimeve, policia ende nuk ka një pistë të qartë mbi motivin dhe aq më pak autorët e ngjarjes, pavarësisht personave të dyshuar.
Ngjarja ndodhi pasditen e së dielës në lagjen Numër 16 Durrës. Viktima ndodhej pranë makinës se tij kur u qëllua me një breshëri automatiku nga një tjetër automjet.
Nga breshëritë e kallashnikovit, Jetmir Bregu u qëllua në këmbë, në kokë dhe në pjesën e kraharorit.
Pas breshërive të armëve, Bregu u dërgua menjëherë në spital, por nuk u mbijetoi plagëve.
/a.r