Epidemiologu dhe njëkohësisht pedagogu i universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Fabian Cenko u shpreh në Euronews Albania se shumë vende të Evropës kanë ashpërsuar masat për shkak të varianteve të reja të COVID-19.
“Unë mendoj që izolimet që po shikojmë në shumë vende evropiane nuk lidhet vetëm me numrin dhe tendencën ditore të rasteve apo javore, ka të bëjë edhe me llojin e virusit në të cilat këto vende ka filluar të dokumentohet”, u shpreh ai.
Mjeku theksoi se variantet e reja kanë një aftësi më të madhe transmetuese dhe si pasojë duhet që të aplikohen masa të reja.
“Me variantet e reja për të cilat thuhet se kanë një aftësi më të madhe transmetuese shoqëritë duhet të aplikojnë në mënyrë rigoroze masat e kontrollit”, tha ai.
Zoti Cenko theksoi më tej se në Shqipëri ende nuk kemi kapacitete për të vlerësuar nëse kemi të infektuar me mutacionet e reja.
“Bëhet fjalë për disa variante, të cilat konfirmohen që të gjitha pak a shumë kanë një shkallë transmetueshmërie më të madhe. Kolegët e Institut të Shëndetit Publik kanë pohuar që nuk ka kapacitete për ta vlerësuar në vend”, tha ai.
“Nuk ka arsye që këto variante të reja të mos kenë hyrë në Shqipëri”, shtoi më tej mjeku.
Sa i përket situatës së COVID në javët në vijim ai theksoi se pritet që të ketë një rritje të rasteve.
“Në ditët në vijim do të ketë një rritje të tillë rastesh. Do të jetë e vështirë që të paktën një javë apo 10 ditë të ketë ndryshim të këtij trendi”, tha ai.