Meqë sot, në 21 janar 2021, dhjetë vjet pas masakrës shtetërore mbi protestuesit e opozitës së kohës, Presidenti i Republikës Ilir Meta ishte shumë i zënë për të thënë dy fjalë për të rënët, po botojmë të plotë fjalën që ai, nga pozita e kryetarit të LSI, mbajti në Parlament në 23 janar 2011, dy ditë pas vrasjes së katër protestuesve.
Pasi të lexoni çfarë ka thënë, ndoshta kuptoni edhe pse s’ka thënë as gjë sot, një dekadë më pas.
***
E nderuara zonja Kryetare, Të nderuar kolegë,
Nuk mund të rrija pa folur, në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për këtë ngjarje tepër të rëndë që ka ndodhur. Më 19 janar, 2 ditë para se të shpërthente dhuna e frymëzuar, e financuar, e dirigjuar nga Edi Rama, përpara Kryeministrisë, publikisht kam paralajmëruar Edi Ramën që të heqë dorë nga dhuna kundër institucioneve, publikisht kam bërë të ditur, sipas të dhënave që ne kemi pasur dhe që s’kanë qenë fare sekret, nga strukturat tona nëpër rrethe, se përfaqësues të PS-së dhe deputetë të PS-së po rekrutonin elementë kriminalë, po rekrutonin banditë, po rekrutonin njerëz me precedentë penalë, njerëz që gjithnjë janë të gatshëm për të luftuar me shtetin dhe se do t’i përdornin këta njerëz me mjete të forta, kundër policisë më 21 janar. Më 20 janar, një ditë para kësaj ngjarjeje, i kemi dërguar me shkresë, si Lëvizje Socialiste për Integrim, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotit Hysni Burgaj, këto informacione që ne kemi pasur, ku në krye bëhej fjalë për rrethin e Shkodrës, dhe i patë që ata që ishin në vijë të parë, pjesa më aktive, ishin llumi i rekrutuar nga ajo zonë, dhe nga disa rrethe të tjera të vendit.
Pavarësisht nga fjalët më të mira që do të thosha për Policinë e Shtetit, për vetëpërmbajtjen e saj, për heroizmin që ka treguar, për durimin e jashtëzakonshëm, përsëri unë mendoj se edhe Policia e Shtetit dhe të gjithë institucionet e tjera duhet të kishin bërë më shumë për të parandaluar atë që ndodhi, duhet të kishin bërë më shumë që në atë vend, në atë bulevard të mos hynin njerëz banditë, me armë, të cilët i pamë të gjithë dje në të gjitha televizionet, të mos hynin banditë me bomba dhe të gjitha sendet e forta dhe, natyrisht, kjo përvojë le të shërbejë për të ardhmen. Dëgjuam nga përgjegjësi i parë dhe i fundit i dhunës dhe i të gjithë bilancit tragjik të saj, se gardistët dhe policia ishin horra. Nuk ishin horra horrat e kryehorrit që hodhën flamurin kombëtar në mënyrën më të turpshme, më antishqiptare, më antikombëtare, por horra ishin ata policët atje, të cilët nën tërë atë breshëri gurësh dhe pllakash, përsëri nuk e lanë flamurin kombëtar të rrinte si leckë atje në bulevard, ku e hodhën horrat e kryehorrit. Ne sot duhet t’u japim solidaritetin dhe mbështetjen më të madhe Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe të gjitha institucioneve që mbrojnë ligjin dhe shtetin në këtë vend. Ne sot duhet të japim mbështetjen më të vendosur që në të ardhmen të zbatohet ligji në mënyrën më të vendosur dhe më të qartë.
Duhet të mendojmë se si të mos na lëndohet një polic, duhet të shqetësohemi për çdo përfaqësues të shtetit që rrëzohet nga sulmet që i bëjnë banditët e politikës së bandave. Ashtu siç sulmuan këtu në Parlament para një jave, në atë stil nxitën dhe realizuan sulmin te Kryeministria vetëm pak ditë më parë. Pak para se të vija këtu pashë lajmet, pashë disa gra, disa zonja, disa shoqe, për të cilat nuk mund të them se nuk janë socialiste, disa janë kryetare të njësive bashkiake të Tiranës, i kishte nxjerrë Edi Rama me pahir përpara një rajoni policie dhe kërkonin që të liroheshin bijtë e tyre, të afërmit e tyre të pafajshëm. Është e drejtë e Partisë Socialiste që t’ia lejojë vetes të përfundojë aty ku përfundoi ditën e premte, atë të premte të zezë për Shqipërinë, një parti e cila kishte në plan të parë fytyrën e horrave, kishte fytyrën e kriminelëve, kishte fytyrën e banditëve, kishte fytyrën e antishtetit, kishte fytyrën e djegieve, kishte fytyrën e ndotjes së kryeqytetit, kishte fytyrën e gjakosjes së policëve, por edhe të qytetarëve të pafajshëm, që u ishte premtuar se do të merrnin pushtetin ditën e premte në Tiranë. Unë kam një të drejtë t’u them atyre grave, atyre shoqeve, atyre motrave: A nuk ju vjen turp të thoni që jeni familjare, që jeni nënat, që jeni motrat e atyre vandalëve që flakën flamurin kombëtar si leckë para gjithë shqiptarëve? A nuk ju vjen turp të thoni që jeni nënat dhe që jeni motrat e atyre horrave, e atyre flokëpalarëve, që godisnin policët, të cilët kishin vetëm një qëllim: se si të shmangnin dëmtimin e agresorëve. Po ata policë nuk kanë nëna, nuk kanë motra, nuk kanë fëmijë, nuk kanë kushërinj? Prandaj, ne kërkojmë të mos ketë asnjë tolerim ndaj të gjithë elementëve kriminalë, të ndiqen kudo që janë.
Kamerat kanë qenë atje, me dhjetëra e qindra kamera, të policisë dhe të të gjithëve, të gjithë ata që kanë vënë dorë ndaj policisë, të gjithë ata që kanë guxuar të hedhin edhe një gur ndaj policisë, të arrestohen kudo që të jenë, të shpallen kudo në kërkim. Këta njerëz duhet ta kuptojnë një herë e mirë se nuk mundet të shkatërrojnë themelet e një shteti të ndërtuar me sakrifica të tëra, nuk mundet të shkatërrojnë imazhin e një vendi thjesht dhe vetëm, sepse i financon, sepse i sponsorizon dhe sepse i drogon një njeri i cili është akuzuar haptazi për përdorimin e kokainës. Unë, edhe një herë tjetër, shpreh mbështetjen më të fortë për Policinë e Shtetit, shpreh mbështetjen më të fortë, në emër të LSI-së, për Gardën e Republikës.
Lidhur me mandat-arrestet, mendoj se ato janë të paligjshme. Unë jam konsultuar me juristë, ato janë krejtësisht të paligjshme, ato janë mandate politike, ato janë mandate nën presionin e Edi Ramës, që bënte thirrje në orën 1 të natës ku ishte kryeprokurorja, se s’dua të përmend emra, të gjithë i kanë parë. Ato janë mandate të porositura. Komandantët e Gardës janë aty në krye të detyrës, nuk kanë refuzuar të bashkëpunojnë me prokurorinë, përkundrazi, duhet të bashkëpunojnë. Ata nuk janë kriminelë, nuk janë horra, që mund të largohen nga vendi, përkundrazi, janë njerëz që kanë qenë në krye të detyrës, hetimi të bëhet, sqarimi të bëhet, ka prokurori, ka gjykata, ne do t’i respektojmë të gjitha këto, por kurrsesi ne nuk mundet që të marrim në qafë, që të shpallim fajtorë pa u bërë hetimet disa njerëz vetëm pse morën përgjegjësi për të mbrojtur shtetin, për të mbrojtur institucionet.
Nuk mund t’u japim mesazhin horrave, kthehuni prapë në Tiranë ju, se ata që mbrojtën institucionet ikën dhe tani mund të hyni ku të doni dhe të bëni çfarë të doni. Jo, ky nuk mund të jetë shteti i horrave, ky do të jetë shteti i ligjit, i atyre që mbrojnë ligjin, i atyre që mbrojnë institucionet. Ne jemi dakord me këtë komision parlamentar, sepse këtu ka gjëra të cilat duhen parë, si kanë funksionuar institucionet dhe si duhet të funksionojnë më mirë në të ardhmen. Edhe një herë, siç i thashë pardje, po ia them edhe sot Edi Ramës, të heqë dorë nga implikimi i institucioneve të pavarura në këtë puç kundër shtetit, sepse institucionet nuk janë pronë private e askujt. Viti 2011 14 Legjislatura e 18-të Të gjithë janë të përkohshëm dhe secili ka një detyrë: të respektojë ligjin, të respektojë Kushtetutën dhe në rast se të tjerët nuk e bëjnë dot këtë gjë, ne jemi këtu, jemi Parlamenti, do ta bëjmë deri në fund.
Falemnderit
Kuvendi i Shqipërisë, 23 janar 2011