Luhet derbi i dytë i sezonit, ndeshja më e ndjerë dhe më spektakolare e futbollit shqiptar, atë që të gjithë duan ta ndjekin dhe ta shijojnë dhe që do të keni mundësi ta bëjnë në ekranin e Supersport duke filluar nga ora 18:00. Këtë të enjte në Elbasan Arena përballë njëra-tjetrës do të jenë Partizani dhe Tirana në një derbi të nxehtë dhe që të dyja skuadrat do ta luajnë për ta fituar. Si të kuqtë ashtu edhe bardheblutë vinë disi më ndryshe në këtë përballje të dytë të sezonit pasi kanë afruar në merkaton e dimrit disa futbollistë cilësorë, ku spikasin Murataj dhe Stenio Junior në njërin krah dhe Seferi e finlandezi Tim Väyrynen. Do të jetë edhe njëherë tjetër një sfidë brenda sfidës ajo mes Ilir Dajës dhe Nevil Dedes dy shokëve shumë të mirë që do të sfidojnë njëri-tjetrin. Derbi i parë i sezonit u mbyll në barazim pa gola, ndërsa sot në Elbasan Arena të gjithë shpresojnë që të jetë një ndeshje me gola dhe emocione. Aktualisht Partizani ka tre pikë më shumë se Tirana në renditje por barazimi në këtë sfidë nuk i bën punë asnjërës prej dy ekipeve nëse shpresojnë ende te titulli kampion pasi Vllaznia nuk di më të ndalet dhe vazhdon të fitojë.