Reshjet e shiut me intensitet të lartë gjatë ditëve të kaluara, si dhe reshjet e pritshme në ditët në vijim, kanë vendosur në lëvizje Koorporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Administratori i saj Benet Beci ka bërë një përditësim ku njofton se janë marrë të gjitha masat për trajtimin e prurjeve natyrore në kaskada, në përputhje me rregulloren.
Ndër të tjera ai shkruan:
“KESH vijon punën normalisht në menaxhimin e prurjeve në kaskadën e lumit Drin. Aktualisht janë angazhuar të gjitha kapacitetet gjeneruese, me një prodhim ditor prej 29,000 MWH(në ditë) duke plotësuar të gjithë nevojat për energji elektrike të konsumatorit fundor.
Niveli i liqeneve paraqitet si më poshtë:
- HEC Fierzë, 288.76 m (nga 296m niveli maksimum i lejuar)
- HEC Koman, 170.70 m (nga 176 m niveli mksimum i lejuar)
- HEC Vau Dejës, 72.14 m (nga 76 m niveli maksimum i lejuar)
Bazuar në të dhënat e orëve të fundit të Raportit Hidro- Meteorologjik, nivelet e shkarkimeve në 3 Hidrocentralet janë:
- HEC Fierzë, shkarkimet nga 400m3/s janë ndalur plotësisht.
- HEC Koman, shkarkimet nga 500m3/s janë ndalur plotësisht.
- HEC Vau Dejës, shkarkimet nga 700 m3/sek janë ulur në 300 m3/s.
KESH do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje situatën hidroenergjitike të kaskadës dhe do të vijoj të marrë gjithë masat e nevojshme për administrimin e prurjeve dhe ruajtjen e niveleve optimale, duke garantuar sigurinë e plotë të digave dhe shmangien e impaktit social mjedisor në zonat e banuara”, shkruan Beci./a.p