Kardilogu i njohur, Ahmet Kamberi, për ndjekjen e diabetit të Enver Hoxhës rrëfen në librin e tij “Pacienti ynë i veçantë” rreth debateve brenda ekipit të mjekëve për mënyrën se si duhej të mjekohej Pacienti, siç e quan ai Enver Hoxhën.
Profesor Kamberi këmbëngulte, bazuar në specializimet që kishte marrë në Stokholm dhe Paris, por dhe literaturën shkencore, se si duhet kuruar diabeti, duke nisur nga pesha ideale trupore, gjë që kundërshtohej nga profesor Fejzi Hoxha, i cili këmbëngulte te kurimi përmes ilaçeve.
Ky debat mbërriti deri te Hysni Kapo, i cili i besonte më shumë profesor Hoxhës për shkak të moshës dhe përvojës, por jo dijeve të tij bashkëkohore. Falë dietës strikte ushqimore, Enver Hoxha arriti në 70 kg, duke eliminuar edhe më shumë përdorimin e insulinës.
AHMET KAMBERI
PAS NDËRHYRJES PËR TRAJTIMIN E DIABETIT
Qenia në shërbimin mjekësor të Enver Hoxhës ishte një privilegj i lakmueshëm në kuptimin e përzgjedhjes. Ajo ishte profesionale dhe politike. Por ai shërbim bartte edhe përgjegjësi, të cilave duhej t’u dilje për zot.
Pasi u kthyem në Tiranë, Dinja u paraqit në punën e tij si mjeku personal i Hysni Kapos, unë në shërbimin tim. Javën e parë të korrikut, para se të nisej për Pogradec, Pacienti qëndroi disa ditë në Durrës. Kolegët e njësisë kërkuan të bënim një mbledhje të Ekipit, ku të më dëgjonin mua t’u flisja lidhur me të rejat për mjekimin e diabetit.
Ishin të gjithë kolegët, përveç kryetarit (ministrit) dhe Isufit, i cili nuk qe rikthyer ende në Ekip. Kolegët më pyesnin dhe unë përgjigjesha. Kishte një ndryshim të madh midis mbledhjes që ne kishim bërë majin e vitit të kaluar dhe kësaj të tanishmes. Në majin e vitit të kaluar unë propozova uljen e peshës së Pacientit deri në pikën që të mos kishte nevojë për mjekim me barna, por me cilësinë e kardiologut që kishte marrë njohuri shtesë për diabetin gjatë specializimit për kujdesin koronar intensiv në Stokholm.
Në mbledhjen aktuale unë shpjegova për qëndrimin tim në spitalin “Hotel Dieu” të Parisit, si qe organizuar specializimi, për punën tonë intensive dhe integrimin e plotë në aktivitete të shërbimit të diabetologjisë, si edhe për mënyrën se si trajtoheshin format e ndryshme të diabetit në pavijon dhe në ambulator. Në përfundim theksova se mjekimi modern i diabetit të tipit 2 konsistonte në radhë të parë në regjimin, me pikësynimin e arritjes së peshës trupore ideale, kurdoherë që ishte e mundur. Kur regjimi tregonte se po funksiononte, atëherë këmbëngulej në arritjen e peshës ideale.
Nëse me arritjen e këtij pikësynimi diabeti nuk zotërohej dot, mjekimi me barna ishte i domosdoshëm. Përzgjedhja e parë ishin biguanidet (metformina). Po të mos mjaftonte metformina, kombinimi i saj me antidiabetikët e tjerë nga goja si sulfaniluretë (hemidaonili, njëri prej tyre), bëhej i nevojshëm. Insulina mbetej opsioni i fundit, por kur ishte e nevojshme të mjekoheshin ndërlikimet mikrovaskulare, ajo ishte e domosdoshme për zotërimin e shpejtë të diabetit, ashtu si edhe në gjendje stresesh akute si infeksionet, operacionet etj.
Me fjalë të tjera, ishte pak a shumë i njëjti qëndrim që unë kisha pasur një vit më parë, por me ndryshimin se tani isha jo thjesht një kardiolog, por një kardiolog i specializuar edhe për diabetin dhe në të njëjtën klinikë ku ishin specializuar kolegët diabetologë të Ekipit. Pyetja e rëndësishme që m’u bë ishte: Cila është pesha ideale e pacientit tonë?
Dhe unë, pa hezituar, u përgjigja rreth 70 kg, duke shtuar se në qoftë se normalizimi i glicemisë arrihej më përpara, nuk ishte më e nevojshme të zbrisnim më poshtë. Në të vërtetë, nga maji i 1976- ës, kur Pacienti peshonte 86 kg dhe i kishim kërkuar të ulte peshën, ai kishte rënë me luhatje deri në 76 kg, ndërkohë që kishim ndaluar marrjen e insulinës, ishte filluar hemidaonili së bashku me metforminën (Glucophagein) dhe së fundi ishte thjesht nën hemidaonil.
Njëri nga kolegët, krejt pa qëllim të keq, bëri pyetjen: A është e justifikueshme atëherë gjithë ajo sasi insuline që ka marrë Pacienti, kur kanë ekzistuar alternativa më të përshtatshme? Kjo pyetje mund të keqkuptohej. Prandaj unë nxitova të shtoj se nuk bëhej fjalë për mjekimin e shkuar dhe se ne po diskutonim për strategjinë e mjekimit, të cilin në të vërtetë e kishim filluar një vit më parë dhe në të cilin duhej të këmbëngulnim. Kolegët më mbështetën plotësisht për këtë.
U duk sikur u mbyll ajo çështje. Por u ngrit problemi se ekzistojnë përvoja klinike të ndryshme dhe kjo nuk mund të mos merrej parasysh. Unë isha i njëmendtë me këtë, por mendoja se nuk mund të mbështeteshim në asnjë përvojë, të cilitdo prej nesh, pa e ballafaquar atë me standardin bashkëkohor të mjekësisë klinike. Kjo ngriti një pyetje të vjetër: Kujt do t’i referoheshim?
Për diabetin u thashë se kisha sjellë me vete dy vëllime, botim i fundit i Shoqatës Amerikane të Diabetit. Për mjekësinë e brendshme kishim librin “Cecil-Loeb”, Textbook of Medicine, 3rd Ed. 2 volums, Eds P.B. Beeson, W. McDermott, 1971, W.B. Saunders Company (Teksti i Mjekësisë i Sesil-Lëbit, 2 vëllime, botues P. B. Bison, W. MakDermot, Bot. III, 1971, kompania botuese W.B Saunders), të cilin unë e kisha blerë në Peshkopi pak muaj para transferimit tim në Klinikën Speciale, si edhe librin “Harrison’s Principles of Internal Medicine”, G.W Thorn, R. D. Adams, E. Brawnwald, K. J. Isselbbacher, R. S. Petersdorf, 8th Ed. 1977, McGraw – Hill BookCompany (Parimet e mjekësisë së brendshme të Harrisonit, botues G. W. Thorn, R. D. Adams, E. Brawnwald, K. J. Isselbbacher, R.S. Petersdorf, botim VIII, 1977, kompania botuese MakGrou-Hill), që sapo e kisha sjellë nga Parisi. Për kardiologjinë kishim librin “The Heart”, J. W. Hurst, 3rd Edition, 1974, McDermott (Zemra, J. W. Hërsti, botim III, 1974, MakDermot), të cilin unë e kisha sjellë nga Stokholmi, përveç librave që mund të merrnim nga biblioteka e Klinikës Speciale. Por këta ishin libra amerikanë dhe nuk mund të lexoheshin nga të gjithë.
Unë u thashë se këta ishin librat që propozoja unë, por secili nga kolegët mund të propozonte libra të tjerë autoritarë, jo vetëm në anglisht, por edhe në frëngjisht a italisht, me të cilët mund të ballafaqonte eksperiencën e tij klinike. U duk sikur të gjithë ishim në një mendje.
Ekipi vendosi që këto ide për mjekimin e Pacientit t’i paraqiteshin Nexhmijes dhe këtë ta bënte prof. Fejzi Hoxha. Ai kundërshtoi që ta bënte vetëm. Donte të isha edhe unë me të. I kërkuam takim Nexhmijes dhe u takuam me të në një nga strehëzat në parkun para shtëpisë. Profesori i shpjegoi asaj me pak fjalë për mbledhjen e Ekipit dhe pastaj i tha “për idetë e reja që solli, të flasë vetë Ahmeti”. Kur ajo dëgjoi për pikësynimin që të arrihej pesha ideale rreth 70 kilogramë, lëvizi nga vendi e shqetësuar. “Ç’është kjo? Nuk ju duket si e tepërt?!”, tha ajo.
-Ahmeti këmbënguli për këtë, ia ktheu profesori, me nënqeshjen e tij të hollë ironike karakteristike, nën hundë. Ky është një propozim që ai e ka bërë qysh vjet para se të shkonte për specializim për diabetin në Paris. Dhe ju e dini që, pasi Ekipi i kërkoi shokut Enver që të binte në peshë, ai ka ulur gati 10 kg që atëherë. Unë ndërhyra dhe i thashë: “Nuk është e thënë që ne do ta zbresim atë medoemos në 70 kilogramë, por do të vazhdojmë uljen e peshës derisa të mos ketë nevojë për mjekim me barna. Ulja e deritanishme e peshës ka sjellë një përmirësim të dukshëm të diabetit. Unë thjesht po them se ajo është pesha e tij ideale dhe tani ai ka ardhur shumë afër kësaj peshe. Diabeti i tij është diabet i tipit 2. Pankreasi i tij prodhon mjaftueshëm insulinë. Por sasia e kësaj insuline nuk përdoret si duhet nga indet e trupit, sidomos nga indi dhjamor.
Kështu bëhen dy dëme. Së pari, glukoza nuk zbërthehet mjaftueshëm nga indet; dhe së dyti, në qarkullim mbetet një tepricë insuline dhe kjo u bën keq arterieve të zemrës, të trurit, të veshkave dhe të këmbëve. Tashti që po flasim shoku Enver ka dy probleme serioze. Njëri është problemi i syrit, ngaqë ka dëmtime në retinë. Tjetri është problemi i këmbëve, ndjeshmëria e të cilave është ulur. Por zhvillimi i këtyre ndërlikimeve është frenuar tashmë. Të dyja këto janë rrjedhojë e një hiperglicemie që ka qëndruar gjatë. Problemi tjetër është sëmundja e arterieve të zemrës. Kjo është ndihmuar, si nga teprica e papërdorur e insulinës në qarkullim, ashtu edhe nga hiperglicemia.
Infarkti i tij ka ardhur nga kombinimi i një vargu faktorësh, si tepria e insulinës në qarkullim, tepria e glukozës, pirja e tepruar e duhanit, tensioni pak i lartë i gjakut, mungesa e aktivitetit fizik, si edhe streset e forta të punës. Tani ne jemi para detyrimit që të përpiqemi ta bëjmë diabetin të paqenë, sepse është dokumentuar që ulja e peshës e ka përmirësuar dukshëm diabetin e tij. Prandaj, kjo është mënyra më e mirë për ta parandaluar përkeqësimin e ndërlikimeve dhe për të mbrojtur edhe veshkat. Kjo mund të arrihet duke e çuar atë në peshën ideale, ose sa më afër saj, sepse edhe barnat nuk janë pa veprime anësore. Kjo ishte dhe mënyra se si trajtohej diabeti në klinikën ku unë u specializova”. Pa u menduar gjatë, ajo tha:
-Po, a nuk mendoni se duke i kufizuar kaq shumë marrjen e kalorive, ai do të mundë ta përballojë gjithë atë ngarkesë pune që ka?.
-Ai do të marrë kaloritë e nevojshme për të përballuar aktivitetin e tij të zakonshëm, por do t’i pakësohen vetëm kaloritë që duhen për uljen e nevojshme të peshës, -ia ktheva unë.
-Mirë, atëherë, -tha ajo. Unë po ia them Enverit këto, por nuk di se si do ta presë. Është ai që do ta vendosë. Dhe bëri të ngrihet.
-Mund t’ia jepni edhe këtë libër të vogël, -i thashë unë, duke i zgjatur librin me kapakë blu, që e kisha marrë me vete. Ky është një libër që ka informacion të plotë për bashkëjetesën me diabetin dhe mjekimin e tij. Aty janë edhe tabelat e peshës ideale sipas llojit të trupit, bazuar në një studim të madh të kompanive amerikane të sigurimeve. Ai mund të ketë dëshirë ta lexojë vetë. Këtë në “Hotel Dieu” ua jepnin të gjithë diabetikëve për ta lexuar, – përfundova unë.
-Mirë, -tha ajo. Po ia jap edhe këtë
Nexhmija e përshkruan këtë në librin e saj, tashmë të cituar, me një gabim të vogël, sepse idetë e reja, vërtetë unë i solla nga Suedia, por specializimin për diabetin e bëra në Paris, Francë, siç e kam treguar më sipër. Ja si e përshkruan ajo propozimin për regjimin e ri dhe si u prit ai: “Enverit, sipas të rejave të fundit që solli nga Suedia Ahmet Kamberi, i cili ndonëse ishte kardiolog, qe dërguar atje për një kualifikim 9-mujor edhe në fushën e diabetologjisë, meqë ai ishte edhe pjesëtar i ekipit mjekësor për Enverin, duhej t’i jepeshin vetëm 1200 kalori në ditë, nga 150 gramë bukë 75 gramë dhe nga pesha 84 kg duhej të zbriste jo 10 kg, si për çdo njeri, por edhe më shumë, meqë ishte i sëmurë nga zemra. Kjo nuk kaloi pa debate në vetë ekipin e mjekëve nga ndonjëri që u përmbahej normave të vjetra, si profesor Fejzi Hoxha, që kërkoi edhe të jepte dorëheqjen.
Por shumica që ishin të rinj, studiozë dhe të azhurnuar me literaturën e re, e bindën kolegun e moshuar, por me një përvojë të gjatë, duke i thënë: “Ne këtu do të jemi, do ta ndjekim bashkë. Në fillim Enveri nuk ishte i bindur, ndaj u thoshte: ‘Si do të punoj unë me 1200 kalori?!’. Në fund u tha: ‘Po më mori uria, unë do ta thyej normën…’. Ta organizosh menynë e ditës me 1200 kalori, kjo kërkon njohuri për vlerat e artikujve ushqimorë dhe marifetet në të gatuar. Por këto anë ishin garantuar nga infermierja veterane Kostandina Zhamo dhe nga kuzhinieri i ri i talentuar i viteve më të vështira, Miço Madhi” (faqe 226). (nënvizimi është i imi) Dhe më tej:
“Shpejt Enveri u mësua me dietën e re, u ul në peshë dhe e ndjente veten mirë, më të lehtë. Në një letër që i drejtonte vajzës nga Pogradeci në Durrës, i shkruante edhe me shaka:
‘E sheh sa të mira vinë nga dieta, prandaj ndiq shembullin e babait. Në fillim nuk besoja se mund të duroja, por lexova si rrojnë të varfrit e Hindit dhe ata më dhanë kurajë e forcë…”.
Sot jemi më pak shtrëngues në qëndrimin ndaj peshës së trupit te diabetikët, por kemi edhe më shumë alternativa mjekimi me barnat. Përllogaritja e peshës optimale me anë të treguesit të masës trupore (TMT) lejon një peshë më të madhe në krahasim me atë të asaj kohe.
Pas bisedës me Nexhmijen u kthyem te kolegët pa ndërruar asnjë fjalë me profesorin.
Kur u ktheva në dhomë te kolegët, mora vesh se profesori ishte kthyer në Tiranë dhe kishte thënë se “ndihej i lodhur dhe do të dilte në pension”. Kjo na erdhi të gjithëve si çudi. Ai gëzonte shëndet të mirë. Nga ana tjetër, ai ishte ndër ne personi më i besuar i familjes dhe vlerësohej posaçërisht nga Pacienti, i cili e trajtonte si shok të vjetër.
Fjala e tij peshonte kudo. Ai ishte një autoritet i afirmuar në shëndetësi dhe të gjithë udhëheqësit e çmonin dhe e nderonin. Ai vlerësohej veçanërisht nga Hysni Kapoja, për të cilin edhe profesori fliste me admirim. Edhe ne anëtarët tjerë të Ekipit e respektonim dhe e nderonim. Unë, personalisht, ndonëse e vija re se nuk më kishte qejf, e nderoja dhe e vlerësoja shumë profesorin për rolin e tij shumë të rëndësishëm pozitiv që ai kishte luajtur në zhvillimin e mjekësisë shqiptare pas çlirimit të vendit.
Dy a tri ditë më pas u nisëm për Pogradec. Ishte edhe profesori. Unë u sistemova në një dhomë të vogël që ndodhej në qoshen veriperëndimore të vilës, në katin përdhes. Nuk kishin kaluar as tri ditë që kishim shkuar në Pogradec, kur më vjen Suloja në dhomë dhe më thotë se kishte urdhëruar shoku Kadri (Hazbiu) që të nesërmen në orën 10 duhej të ndodhesha në Durrës, në Stabiliment (kështu i thoshin klubit ku mblidheshin udhëheqësit gjatë pushimeve verore në plazhin e Durrësit), sepse më kërkonte shoku Hysni (Kapo).
Të nesërmen në mëngjes, pasi u zëvendësova në shërbim nga Hajroja, u nisa për në Durrës me makinën e vjetër të Enverit. Kur hipa në makinë, vura re se ishte edhe prof. Hoxha aty.
-Po kthehem, – më tha ai, me atë pamjen e tij karakteristike të vrugët, kur nuk ishte në humor të mirë. Dhe vazhdoi: Jam i lodhur dhe do të dal në pension.
-Po, jo, profesor, -ia ktheva unë. – Ju nuk jeni as i lodhur dhe as keni pse të dilni në pension. Vazhduam rrugën deri në Durrës duke biseduar për gjëra të ndryshme. Kur erdhëm në Durrës, më tha:
-E di, po vij edhe unë ta takoj shokun Huzni (kështu i thoshte ai). Nuk e kam parë prej shumë kohësh. Dhe shkuam të dy së bashku në një dhomë në katin e dytë të Stabilimentit të ri, ku na thanë se na priste shoku Hysni. Aty, bashkë me shokun Hysni, ishte edhe Llambi Ziçishti.
Ata u ngritën. I dhanë dorën profesorit. Shoku Hysni i ofroi atij një kolltuk të lirë. Mua nuk më vështroi dhe as më dha dorën. Llambi, kur pa që ai s’më takoi, u ul edhe ai. Hysniu menjëherë, pasi e pyeti profesorin si ishte me shëndet dhe si udhëtuam, m’u kthye mua me një ton kërcënues, që më shtangu:
-Ty,- më tha, – të kam thirrur si Sekretar i Komitetit Qendror për të të tërhequr një vërejtje të rëndë me paralajmërim. Dhe duke ngritur tonin më shumë:
-Dhe ta dish se mban përgjegjësi të rëndë dhe… Për një çast hezitova se nuk po e kuptoja arsyen. Hodha sytë rrotull dhe pashë një karrige. Me një qetësi të akullt, e mora atë dhe u ula përballë tij. Ishte një çast kur njeriu vendos të përballet me më të keqen. Dhe ia nisa me qetësi:
-Po ju, shoku Hysni, e dini që unë jam anëtar partie?
-Si nuk e ditkam, – tha ai në një mënyrë të thatë dhe me pezëm. – Pse do të thërrisja përndryshe?
-Atëherë, përse duhet të mbaj përgjegjësi shumë të rëndë pa më shpjeguar se çfarë prapësie paskam bërë?! -ia ktheva unë. Toni i tij ndryshoi disi aty për aty.
-Sepse ti je një prepotent, arrogant e mospërfillës. Ti kërkon të vendosësh rregullat e tua dhe t’i imponohesh Ekipit për mjekimin e shokut Enver.
E kuptova menjëherë se nga vinte kjo rrufe dhe u lumturova që profesori ishte aty i pranishëm.
-Ti ke kërkuar që Ekipi të mbështetet në librat që lexon ti në anglisht. Ti ke kërkuar që shokun Enver ta dobësosh, sa të mos mbahet në këmbë. Në këtë pikë unë e ndërpreva dhe i thashë:
-Nga i dini ju këto, shoku Hysni? Këto janë probleme që janë diskutuar në mbledhjen e Ekipit. Protokolli i mbledhjes është në kasafortë dhe çelësin e saj e kam unë. (Në të vërtetë, ndryshe nga në Tiranë, në Durrës dhe në Vlorë, ne nuk kishim kasafortë. Por fletoren e protokollit e mbaja unë, gjithsesi, ose kolegu tjetër që mund të ishte në vendin tim; kurse dosjen e Pacientit e mbante infermierja në raftin e saj). Këto juve jua ka thënë profesori, se askush tjetër nuk është në dijeni të këtyre diskutimeve (as nuk më shkonte nëpër mend për Nexhmijen, së cilës ia kishim komunikuar vendimin e Ekipit).
-Jo, – ma preu ai, – nuk më ka thënë gjë profesori. Profesorin Partia e çmon shumë, e respekton dhe ia njeh mirë vlerat e tij profesionale dhe shkencore. Prandaj duhet ta respektosh edhe ti. Jo të mos e përfillësh.
-Megjithatë, për mua është e qartë se të gjitha sa më thatë i keni nga profesori. Dhe vazhdova:
-Tani, ju lutem, më lejoni mua t’jua shpjegoj punën fije për pe. Profesori të kundërshtojë nëse nuk janë të vërteta ato që do t’ju them. Dhe pa pritur reagimin e tij, fillova t’i shpjegoj se si ishte zhvilluar mbledhja e Ekipit, e cila nuk ishte bërë me kërkesën time. Pasi kisha mbaruar shpjegimet e mia, ai m’u kthye.
-Ti je mospërfillës dhe harron që profesori ka një përvojë kolosale. Bisedove nja tri orë me një specialist në Stokholm ti dhe na u bëre specialist i mbaruar për të mjekuar edhe diabetin, – ma ktheu ai me një mënyrë përçmuese.
Tani ishte krejt e qartë për mua, pa asnjë dyshim, se ishte ankimi i profesorit shkaku i këtij tërmeti të frikshëm. -Ishte vjet ajo që thoni ju, shoku Hysni, – ia ktheva, – sepse kjo histori lidhej me mbledhjen e Ekipit në majin e vitit të kaluar.
-Tani unë nuk jam më ai kardiologu që kishte mësuar “nja dy gjëra” në Stokholm, të cilat nuk m’i “kishte kërkuar kush”, ose nga biseda “nja tri orë me një specialist në Stokholm”. Tani unë kam një kualifikim të veçantë për diabetin. Jam specializuar në të njëjtën klinikë diabeti, ku kanë bërë një stazh edhe profesori edhe kolegët tjerë.
Për aq muaj sa kam qëndruar në atë klinikë, unë kam marrë pjesë në mjekimin e më shumë të sëmurëve me diabet se ç’ka mjekuar profesori gjatë jetës së tij profesionale. Nga ana tjetër, me gjithë respektin që kam për profesorin, nuk mund të pranoj përvojën e tij, e cila nuk tundet nga ajo e viteve ’60 dhe aq më pak, në mjekimin e infarktit dhe të sëmundjes së zemrës, që i përket viteve ’50.
Ajo, jo vetëm që nuk është një përvojë pozitive, por mund të jetë edhe e dëmshme. Kanë ndodhur shumë zhvillime në kardiologji që nga ajo kohë. Dhe as nuk mund t’i kërkojë njeri këtij që të njihet me këto zhvillime. Ato na përkasin neve të rinjve. Kanë ndodhur, gjithashtu, ndryshime edhe në mjekimin e diabetit, të cilat profesori mund t’i njohë, por edhe duhet t’i pranojë. Prandaj, unë kam ngulur këmbë që përvojat tona klinike të gjithsecilit, natyrisht përfshirë edhe profesorin, t’i quajmë të vlefshme, vetëm kur ato përputhen me përvojën klinike bashkëkohore të dokumentuar në literaturën më të mirë mjekësore të kohës.
Sa për librat më të rinj në anglisht që unë kam propozuar t’u referohemi, nuk i lexoj vetëm unë, por edhe kolegët e mi kardiologë. Kjo nuk e pengon profesorin të na paraqesë referencat e tij në frëngjisht a italisht, në cilëndo prej të cilave ai mbështetet në mendimet e tij. Por referencat duhet të jenë shkencërisht e klinikisht autoritare.
-Ja, – tha ai duke ngritur zërin, – edhe këtu para nesh ti po vazhdon të demonstrosh arrogancën dhe mospërfilljen që të karakterizon.
-Jo, -ia ktheva, – kjo është sjellja që më dikton detyra, të cilën ma keni ngarkuar ju, shoku Hysni
-Dhe ti kërkon ta çosh shokun Enver në 70 kilogramë, – ma preu ai. – Partia dhe populli e duan të shëndoshë shokun Enver. Kupton ti apo jo!?
Pa e lënë të vazhdonte më tej, iu përgjigja: -Partia dhe populli e duan të shëndetshëm shokun Enver. Mua më keni çuar në Ekipin e tij mjekësor për të dhënë kontributin tim me maksimumin e dijeve dhe mundësive, për ta ruajtur dhe mbrojtur shëndetin e tij, jo për t’u konformuar me përvoja të pavlefshme, madje të dëmshme.
Partia më ka mësuar të mos jem konformist, shoku Hysni. Në qoftë se këtë mësim e paskam kuptuar gabim, unë prapëseprapë i qëndroj atij dhe nuk kam ndër mend të bëj ndryshe. Prandaj, mund të zbatoni ndëshkimin për përgjegjësinë shumë të rëndë, siç ma thatë qëkur hyra këtu.
Pikërisht atëherë kur unë po mendoja se ia kisha hapur vetë derën tatëpjetës, Hysniu e ndryshoi me 180 gradë tonin. Ndoshta ai e kuptoi që profesori mund ta kishte tepruar.
-Partia, – ma ktheu ai, me një ton krejt të zbutur, – e ka krijuar Ekipin që të punoni me përkushtim dhe me fjalën e fundit të shkencës, për t’u kujdesur për shëndetin e shokut Enver, që ai të jetë aktiv dhe jetëgjatë. Por ti duhet të jesh më modest. Kështu?! Pa ma ndarë ngulitjen e vështrimit të tij, vazhdoi më tej:
-Partia kërkon nga ju të punoni në harmoni, me mirëkuptim dhe vigjilencë. Dhe ta dini se mbani një përgjegjësi të jashtëzakonshme para Partisë dhe popullit. Besoj se u kuptuam, – e përmbylli ai porosinë e tij.
Dhe, pa na lënë kohë t’i përgjigjeshim, u ngrit në këmbë, na dha dorën profesorit dhe mua dhe na përshëndeti: “Ditën e mirë!”. Dolëm jashtë pa bëzajtur. Unë ndihesha pak si i trullosur. Nuk e mora vesh nëse më mbeti ajo “vërejtja e rëndë…”, apo qe e mjaftueshme këshilla për të qenë modest. Rrugës për në Tiranë profesori u përpoq të shfajësohej dhe të më mbushte mendjen se ai nuk kishte gisht në atë shungullimë përvëluese. Por i thashë:
-Lëre, profesor, bëre ç’bëre, ta harrojmë këtë muhabet dhe të shohim punën!…./panorama