Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, në 29-vjetorin e FRESSH-it, iu bëri thirrje të rinjve të maksimizojnë ambicien, pasi sipas tij kjo forcë politike iu jep të gjithëve një shans dhe mundësi për të ecur përpara.
Duke ironizuar drejtuesen e LSI-së, Monika Kryemadhi, në takimet e të cilës të rinjtë shprehen se shqetësimi që ata kanë është se nuk pijnë dot një kafe më shumë në ditë, Veliaj tha se PS sot ka në fokus nismat, ndryshimet dhe vendimet e rëndësishme për qytetin.
“Po dëgjoja dje anëtarët e forumit tjetër që i thoshte Monika Kryemadhit: “Dikur pinim nga dy kafe në ditë, kurse tani vetëm 1 kafe”. Kjo tregon se aq e kanë ambicien. Ambicia jonë është shumë më e madhe se aq dhe sfida e forumit tonë është si të injektojë më shumë ambicie tek të rinjtë,” tha Veliaj, duke shtuar se ndihet entuziast për faktin që në PS janë afruar mjaft të rinj, edhe nga forumet e tjera.
Kreu i Bashkisë theksoi se Tirana si Kryeqytet Europian i Rinisë është një ambicie reale e përmbushur në vitin 2022. “Ambicia jonë është të jemi një qytet evropian. Është fat i madh që vitin tjetër do të jemi “Kryeqyteti Europian i Rinisë”. Kjo është ambicie, si të bëjmë që Tirana të njihet nga të gjithë të rinjtë europianë. Kjo vjen edhe me përgjegjësi, se kur je kartolina e të gjithë Shqipërisë duhet të tregojmë më të mirën tonë, jo vetëm si mikpritës për mijëra të rinj që do të vijnë, por edhe për të treguar se ne jemi njerëz me ambicie,” u shpreh Veliaj.
Një tjetër ambicie është shndërrimi i Piramidës në qendrën e teknologjisë digjitale. “Duam ta kthejmë Piramidën nga muzeu i diktatorit, në qendrën digjitale më të madhe të Ballkanit. Kjo është ambicie! Kjo të vendos në hartë si një kryeqytet i rinisë dhe si një kryeqytet që të çon drejt teknologjive të reja,” deklaroi Veliaj./a.p