Situata e përmbytjeve në Shkodër vijon të jetë e rënduar. Krahasuar me një ditë më parë kur në ujë ishin 1880 hektarë, sot situata është përmirësuar por më shumë se 1750 hektarë tokë vijojnë të jenë në ujë
Bashkia Shkodër në një njoftim në mediat sociale bën me dije se: hidrometri në Dajç në orën 08.30, shënon kuotën 6.18 m (Kuota max 6.30 m); hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.30,shënon kuotën 8.54 m (Kuota max 8.70 m) dhe hidrometri i lumit Drin në orën 08.30,shënon kuotën 6.72 m (Kuota max 7.50 m).
Po ashtu vijon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta dhe është e kalueshme vetëm me mjete të larta pasi niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80 cm. Ujësjellësi Oblika 1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit dhe furnizimi i banorëve është bërë nga Ujësjellësi Shkodër.
Nga ana tjetër vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë si dhe në tokat bujqësore në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme.
/a.r