Nga Artur Ajazi
Ilir Meta nuk heq dorë. Ai do me patjetër të bëjë opozitarin, kundërshtarin, shpëtimtarin, “njeriun e dhëmbshur”, dhe nuk e zë gjumi natës pa gërrmuar për të gjetur një sebep, për të mbledhur “tryeza ekspertësh”. Njëherë për rininë, njëherë për biznesin (edhe atë të malit Tomorr) njëherë për tërmetin, pastaj për pandeminë, nuk ngurron të mbledhë edhe ata që “të shpëtojnë” nga përmbytjet dhe së fundi është bërë “specialist” edhe i parave publiike. Po llogarit bashkë me këshilltarët e tij “sa kushton një km rrugë në Serbi dhe në Siberi, dhe sa kushton në Shqipëri”. Dokrra të tilla, vetëm nga një kryetar shteti si ai, mund ti dëgjosh.
Na turpërove Ilir, jo vehten tënde, por Shqipërinë, deri ditën që do të jesh banori i Presidencës. Dhe në fakt nga ç’ka po shihet dhe dëgjohet, ç’ka po ndodh në Tiranë dhe rrethe, tek takohet Monika dhe Rudina kokë më kokë në Elbasan, për të ndarë njëra Belëshin dhe tjetra Librazhdin, (me shpresë se do të marrin mandatin e deputetes) apo tek lexon rreshtat e Fatmir Mediut që “nuk kënaqet me marrëveshjen me Lulzimin”, dhe Ilirin që i sulet qeverisë sapo shikon një ëndërr me “rrugë në Serbi”, bindesh se Edi Rama në 25 Prill, betejën e ka me gladiatorët e korrupsionit. E ka me ata që duhej të ishin në burg për korrupsion, afera të pista me oligarkë dhe shtetas të huaj, për ngjarjet e tmerrshme të Gërdecit, për floririn e Krrabës, për vjedhjen e miliona eurove nga rruga e Kombit, apo për akuza flagrante për 4 vrasjet e 21 Janarit.
Beteja e Edi Ramës me gladiatorët e korrupsionit në 25 Prill, është beteja vendimtare me ata që po pengojnë me çdo mjet ecjen përpara të shtetit ligjor, me ata që kanë dekada që nuk duan reformat në sistemin e drejtësisë, me ata që ç’nuk po bëjnë, të prishin qetësinë, harmoninë dhe paqen sociale mes shqiptarëve. Dhe Edi Rama do t’ja dalë. Jo sepse ka me vehte shumicën e shqiptarëve, por sepse ai ka marrë përsipër një mision të madh. Të shpëtojë vendin nga një kastë maskarenjsh. Nga ata që politikën e kanë kthyer në biznes, dhe fatet e vendit në bixhoz për të mbushur thasët dhe ruajtur pasuritë e vjedhura. Edi Rama në 25 Prill, e ka betejën me ata që kanë 30 vjet që zhgërryhen zyrave të partive dhe qeverive, duke dhjetëfishuar pasuritë çdo 4 vjet, madje edhe në kohë pandemie. Edi Rama në 25 Prill, e ka betejën me gladiatorët e së keqes së këtij vendi, me ata që nuk njohin as ligje dhe as Kushtetutë, por vetëm “bllokun dhe 40 per qindëshin”.
Edi Rama në 25 Prill, e ka betejën me zjarrvënësit e institucioneve, me llapashukët që nxijnë në Europë dhe lobojnë në SHBA kundër interesave të Shqipërisë, me ata që janë gati të marrin armët për të përmbysur qeverinë e votuar nga shumica e shqiptarëve, për të ardhur në pushtet. Edi Rama në 25 Prill, e ka betejën me ata që janë mësuar dhe nuk rrinë dot pa vjedhur dhe blerë vota, me ata që janë mësuar të luajnë poshtërsisht me çdo qeveri për të kapur ndonjë post ministri, me ata që tallen me shqiptarët, edhe kur shkollojnë fëmijët në Londër, Vjenë, Paris, apo Berlin, dhe hiqen se “nuk u del rroga për bukën e gojës”. Edi Rama në 25 Prill, ka vendosur të ndërtojë një politikë të re, një Shqipëri të re, një Parlament të ri, ka vendosur të shpjerë deri në fund betimin e tij të kahershëm, për të ndërtuar nga themelet shtetin ligjor në vendin e shqiponjave.