Mediat greke kanë zbuluar detaje të tjera në lidhje me ngjarjen e rëndë të mbrëmjes së djeshme në sheshin “Agios Sostis” të Athinës ku mbeti një i vdekur dhe tre të plagosur.
Siç bën me dije “Kathimerini“, i vdekur ka mbetur një 58 vjeçar shqiptar, ndërsa dy prej të plagosurve janë djemtë e tij 28 dhe 22 vjeç. Në ngjarjen e mbrëmshme mbeti i plagosur edhe kamarieri i një lokali aty pranë, por që nuk kishte lidhje me ngjarjen, raporton abcnews.al.
Policia theksoi më herët se nuk dyshonte se bëhej fjalë për një atentat, pasi zona dhe ora nuk e lejonte një gjë të tillë. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ndodhi pasi dy grupet mund të kishin lënë të takoheshin në vendin në fjalë dhe në debat e sipër kanë nxjerrë armët duke lënë një të vdekur dhe tre të plagosur.
Mësohet se gjatë përplasjes, babai i ka dalë para plumbave për të mbrojtur djemtë e tij duke humbur jetën. Ndërkohë, dy të rinjtë kanë tentuar që të fshihen në njërin prej lokaleve aty pranë, por sulmuesit i kanë ndjekur duke qëlluar në drejtim të tyre, ku njëri prej plumbave ka kapur edhe kamarierin e lokalit.
Policia është duke kërkuar për një makinë “Opel” ngjyrë gri, me të cilin dyshohet se janë larguar autorët.
g.kosovari