Greqia dhe Turqia do të rinisin bisedimet për një marrëveshje për zonat ekskluzive në Detin Mesdhe në datën 25 Janar 2021. Është Ministria e Jashtme greke që njofton se dialogu do të zhvillohet në Stamboll. Ky takim do të jetë raundi i 61 i bisedimeve mes palëve për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Më herët gjatë një konference për shtyp, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu ftoi homologun grek Nikos Dendias të takohen në Tiranë për të dialoguar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për zonat ekskluzive ekonomike në Mesdheun Lindor. Çavusoglu tregoi se ofertën për një takim në Tiranë ia kishte bërë kryeministri Edi Rama gjatë vizitës javën e kaluar në Turqi.
Rinisja e negociatave mes palëve zhvillohet pasi në Parlamentin grek ka mbërritur drafti i qeverisë për zgjerimin e hapësirës territoriale detare në 12 milje që do të shtrohet për miratim më 19 Janar.
/a.r