Instituti Hidrometorologjik i Kosovës njoftoi se pas reshjeve të shiut dhe bores, ka pasur vërshime të mëdha uji në disa pjesë të vendit.
“Më problematik paraqit gjendja në zonat e Drinit të Bardhë, ku nivelet kanë arritur kuota maksimale, e disa prej tyre kanë shkaktuar vërshime”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), u shpreh se pas gjendjes së krijuar me reshjet në nivel vendi, ka ngritur gjendjen e gatishmërisë, ndërsa gjatë orëve të vona të së shtunës janë realizuar operacione kërkim-shpëtimi në disa vende, ku është rrezikuar jeta e qytetarëve. Operacionet thuhet se kanë përfunduar me sukses.
Nga ana tjetër, në rrjetin social Facebook, Zjarrëfikësit e Kosovës kanë postuar disa fotografi, ku shihen duke ndihmuar qytetarët. Komuna e Malishevës bëri të ditur se rruga që lidhë fshatin Rud të saj me fshatin Sferkë të Klinës, është dëmtuar dhe është tërësisht e pakalueshme. Në Gjakovë, rreth 70 banorë të evakuuar janë sistemuar përkohësisht në ambjentet e aeroportit./a.p