Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, ka zbritur mbrëmjen e sotme në terren në Novoselë së bashku me administratorin e zonës, Prefektin dhe Kryetarin e Qarkut për të parë më nga afër situatën e lumit Vjosa, që është fryrë për shkak të motit të keq që prej dy ditësh ka përfshirë Shqipërinë. Në një video që ka postuar në rrjetet sociale Leli thotë se niveli i ujit të Vjosës ka shkruar tashmë 7 metra, por shton ai nuk është e nevojshme ngritja e alarmit.
“Niveli rreth 7 metra, nuk është e nevojshme të bëjmë alarm, por njerëzit duhet të fillojnë të jenë të kujdesshëm. Kanani më informoi që drejtuesit e kryetarët e fshatrave, kanë marrë informacione, që situata është për t’u mbajtur nën kontroll.”- thotë ai.
Po ashtu, kryebashkiaku u bëri thirrje banorëve që ndodhën pranë shtratit të lumit që të jenë të kujdesshëm gjatë orëve të natës.
Shkodra, Durrësi, Lezha dhe Vlora janë qytetet më problematike për sa i përket përmbytjeve në vend. Këto qytete janë prej dy ditësh të përmbytura për shkak të reshjeve të shumta. Moti i keq ka pushtuar vendin duke shkaktuar përmbytje, dalje të lumenjve nga shtrati dhe izolimin total të fshatrave të tëra për shkak të dëborës.
g.kosovari