Zhbllokimi i merkatos e rikthen Partizanin në lojë pasi të kuqtë kanë mundësinë për të pasuruar organikën me lojtarë të rinj që mund t’i sigurojnë vazhdimësi ekipit të Ilir Dajës në këtë sezon. Drejtori i përgjithshëm i “Demave të Kuq”, Olsi Rama komentoi vendimin e CAS-it të Lozanës, që i jep një dorë jo të vogël trajnerit në këtë moment delikat të sezonit.
“Sigurisht që është ajo për të cilën ne punuam. Objektivi kryesor në të gjithë luftën tonë që bëmë në planin sportive ishte që të hapej merkato dhe ia arritëm kësaj gjëje, kështu që e quajmë një sukses në këtë pjesë. Tani besoj që ndihmon, ndihmon shumë edhe në faktin për të rritur sa më shumë konkurencën në ekip”.
Sipas drejtuesit të lartë të klubit kryeqytetas, lëvizjet do të jenë të menduara mirë pasi merkato e janarit të jep mundësinë e riparimeve të pjesshme.
“Kemi investiguar dhe kemi parë profile të ndryshme, sigurisht që nuk ishim në pozitën që të afroheshim dhe të bënim propozimet tona, pasi nuk e denim se çfarë do të ndodhte. Por duke qënë se kishim besim se do të mernim përgjigje pozitive për hapjen e merkatos, i kemi bërë në një farë mënyre detyrat e shpisë për një pjesë të punës”.
“Sigurisht që merkato e janarit ka specifikën e vetë, për arsye se o do të marësh lojtarë që u ka mbaruar kontrata, që janë të paktë, ose do marësh lojtarë që kanë ardhur nga dëmtimet, lojtarë që nuk kanë arritur të gjejnë hapësira në ekipet e tyre. Kështu që stafi përgjegjës duhet të jetë shumë më i kujdesshëm në seleksionim. Ne do të kërkojmë ata që do na duken më të mirët për të plotësuar organikën dhe që ti shkojnë për shtat skemës së Partizanit, të kenë dhe aprovimin e stafit teknik”.
Gjatë ditëve të fundit në orbitën e Partizanit janë shfaqur disa emra të mundshëm siç është dhe rasti i Ferhan Hasanit, për të cilin ka shfaqur interes edhe Tirana. Merkato e klubit bardheblu u bllokua nga FIFA në këtë fillimviti dhe ky mund të jetë një avantazh për të kuqtë. Por Rama preferon të flasë vetëm për atë që ndodh në “shtëpinë” e tij.
“E dëgjova këtë lajmin për mbylljen e merkatos së Tiranës, uroj që të mos jetë një problem, sepse në fund të fundit kampionati shqiptar bëhet më i bukur kur skuadrat janë më të forta. Nuk besoj se neve na sjell ndonje avantazh të madh. Tregu i futbollistëve është shumë i madh, ka shumë lojtarë. I takon stafit që përzgjedh lojtarë që të bëjë një detyrë, të përzgjedhë ata që janë më të mirët”.
Momentalisht Partizani nuk ka bërë asnjë lëvizje zyrtare në merkato.
“Ne shohim brenda shpisë tonë, shohim ata lojtarë, ato pozicione për të cilat ne kemi nevojë vetë. Sigurisht, që janë dhe ekipet e tjera. Është Kukësi, Teuta, Vllaznia, me siguri që do të kërkojnë përforcime tani në janar. Ne do të shikojmë ato objektiva që na bëjnë punë ne, jo ato objektiva që do i bënin punë një ekipi tjetër”./a.p