Gjykata e Kurbinit u ka komunikuar masën e sigurisë “Arrest në burg” kushërinjve Fation dhe Elson Bushgjokaj, të vënë nën akuzë për grabitjen me dhunë të një ish-efektivi të Policisë së Burgjeve, ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2011 në Mamurras. Në seancën gjyqësore, prokurori i çështjes, Bardhyl Shehi, ka kërkuar që dy të rinjtë të liheshin në burg.
Pasi dëgjoi palët në proces, gjyqtari Aurel Arapi e konsideroi të ligjshëm arrestimin e dy kushërinjve dhe la në fuqi masën “Arrest me burg” ndaj tyre. Ndërsa akuza që rëndon ndaj Fation dhe Elson Bushgjokaj është “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Para togave të zeza, dy të rinjtë mësohet se i kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre, duke deklaruar se nuk kanë lidhje për grabitjen me dhunë të ish-efektivit të Policisë së Burgjeve.
Grabitja dhe plagosja e ish-efektivit të Policisë së Burgjeve shtetasit A.D., i cili në atë kohë punonte dhe si taksist ilegal u zbardh pas 9 vitesh, pasi në makinën e grabitur, e cila u gjet e braktisur në Kashar janë gjetur gjurmë gishtërinjsh të dy personave të vënë nën akuzë.
Ngjarja
Efektivi i Policisë së Burgjeve, Arben Doçi, shpeshherë punonte dhe si taksist i palicencuar dhe ishte faturuar nga dy të rinjtë për t’i dërguar në Mamurras, por pasi u afruan pranë zonës së Fushë-Mamurrasit ata e kanë orientuar punonjësin e Policisë që të hyjë në një rrugicë, që ndodhej larg syrit të qytetarëve dhe kanë zbritur.
Njëri prej të rinjve i ka thënë efektivit se i kishte rënë goma e makinës, duke bërë që ai të parkonte në anë të rrugës dhe të zbriste nga automjeti.
Në momentin që efektivi i Policisë është përkulur për të parë gomën, është goditur me sende të forta nga dy të rinjtë, duke mbetur pa ndjenja.
Më pas, kushërinjtë Bushgjoka e hodhën efektivin në një kanal dhe morën makinën e sendet e tij personale dhe u larguan. Mjeti u gjet i braktisur pranë zonës së Kasharit në Tiranë dhe kjo duket se e ka ndihmuar grupin hetimor që të zbardhë ngjarjen e të çojë në identifikimin e autorëve të dyshuar.
Nga plagët e marra, ish-efektivi i Policisë ka qëndruar për disa kohë në spital dhe pas shërimit e ka ndjekur në vazhdimësi çështjen deri në zbardhjen e plotë të asaj që i kishte ndodhur.
Hetimet per ngjarjen
Çështja në atë kohë u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por hetimet nuk sollën asnjë rezultat. Veprimet hetimore janë riaktivizuar sërish, ku tashmë, pas 9 viteve nga ngjarja, është bërë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi i Elson dhe Fation Bushgjoka, të dy nga Kamza.
Njëri nga personat e arrestuar ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes. Pritet që në ditët në vijim dy kushërinjtë Bushgjoka të dalin para Gjykatës së Laçit për t’u njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg”./a.p