Gjykata Kushtetuese pa u mbyllur viti 2020 është bërë me 7 anëtarë. Sonila Bejtja është anëtarja më e re pasi ishte e vetme në garën dhe KED e lejoi të kandidonte dhe ia çoi Presidentit.
Meta ditën e djeshme e emëroi kurse sot Bejtja shkoi në Presidencë për t’u betuar.
Vetëm disa ditë më parë Gjykata Kushtetuese pas një periudhe 3-vjeçare jashtë funksionit arriti kuorumin e nevojshëm prej 6 anëtarësh dhe u bë funksionale. Altin Binaj ishte anëtari i 6-të, tashmë Bejtja e 7-ta teksa mbeten edhe 2 që Gjykata Kushtetuese të ketë 9 anëtarë dhe të funksionojë normalisht.
NJOFTIMI NGA PRESIDENCA
Anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, znj.Sonila Bejtja betohet para Presidentit të Republikës
29 dhjetor 2020
Në Institucionin e Kreut të Shtetit u zhvillua sot ceremonia e betimit të anëtares së re të Gjykatës Kushtetuese, zonja Sonila Bejtja, para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës të emërimit të saj nga Kreu i Shtetit, zonja Sonila Bejtja u betua para Presidentit Meta, me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë dhe duke u zotuar se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.
Kreu i Shtetit i uroi suksese dhe punë të mbarë gjyqtares Bejtja në detyrën e saj tepër të rëndësishme dhe me përgjegjësi të lartë të anëtares së Gjykatës Kushtetuese.
Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Zv/kryetarja e Kuvendit, znj.Vasilika Hysi, kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, znj.Vitore Tusha, Avokati i Popullit, zn.Erinda Ballanca, drejtuesja e misioni OPDAT të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, znj.Michelle Lakomy, shefi i Sektorit Politik dhe i Ngarkuar me punë në Delegacionin e BE në Tiranë, z. Alexis Hupin si dhe anëtarë të Kabinetit të Presidentit të Republikës./a.p