Kina do ta kapërcejë SHBA-në, për t’u bërë ekonomia më e madhe në botë, deri në vitin 2028, parashikon një raport i ri.
Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznesore, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, vlerëson se menaxhimi “i aftë” i pandemisë COVID-19 në Kinë, do ta thellojë rritjen ekonomike në këtë vend, krahasuar me SHBA-në dhe Evropën.
Në raport po ashtu thuhet se India pritet të bëhet ekonomia e tretë deri në vitin 2030.
Edhe pse Kina ka qenë vendi i parë që është goditur nga COVID-19, ajo e ka vënë sëmundjen shpejt nën kontroll, me veprime të shpejta dhe të rrepta, duke mos pasur nevojë t’i përsërisë izolimet ekonomike, siç kanë bërë disa vende të Evropës.
Si rezultat, ndryshe nga ekonomitë e tjera të mëdha, Kina ka shmangur recesionin ekonomik në vitin 2020 dhe, madje, pritet të ketë rritje prej 2% këtë vit.
Ekonomia amerikane, në anën tjetër, është goditur rëndë nga pandemia, sa u përket shifrave. Mbi 18.5 milionë njerëz në SHBA janë prekur nga COVID-19, ndërsa mbi 330,000 kanë vdekur.
Dëmi ekonomik është zbutur me politika monetare dhe një stimul të madh fiskal, por mosmarrëveshjet politike mbi një paketë të re stimuluese, mund të lënë rreth 14 milionë amerikanë të papunë pa pagesa nga shteti.
“Për disa kohë, një temë kryesore e ekonomisë globale ka qenë lufta ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Pandemia COVID-19 dhe pasojat përkatëse ekonomike e kanë çuar këtë rivalitet në favor të Kinës”, thuhet në raportin e Qendrës për Kërkime Ekonomike dhe Biznesore, me seli në Mbretërinë e Bashkuar./a.p