Asnjë rast infektimi me variantin e ri të Covid-19 nuk është zbuluar ende në Shqipëri. Iris Hatibi, mikrobiologe në laboratorin e ISHP-së sqaron për Tv Klan se identifikimi i mutacioneve të Sars-Cov-2 kryhet përmes testit të PCR dhe se rastet e dyshuara do të referohen në Organizatën Botërore të Shëndetit për analiza më të thelluara.
“Metoda e testimit është po metoda molekulare dhe ajo do të vijojë të përdoret edhe në rastin e zbulimit të mutacionit në vendin tonë. Kemi kapacitetet laboratorike për të identifikuar genomën e plotë të virusit. Në rast se do të shohim ndonjë paqartësi në lidhje me qarkullimin e këtij virusi, menjëherë komunikojmë me laboratorët tona të referencës në vendet e Europës”.
Analizat serologjike ose ndryshe ELISA janë një tjetër mënyrë për të zbuluar nëse je mbartës i Covid-19 apo i varianteve të tij.
“Metoda e ELISA tregon prezencën e antikorpeve në organizëm, një metodë shumë e mirë dhe ajo që është referuese, e kam prezencën e antikorpeve në organizëm edhe për prezencën e këtij mutacioni të ri”.
Varianti i ri i Covid-19 mendohet që të jetë rreth 70% më shumë i transmetueshëm sesa varianti i deritanishëm, por me vdekshmëri dhe sëmundshmëri më të ulët.
/a.r