Nga Bajram Peçi
Ta paskan mohuar të drejtën e azilit, zoti Selami! Ju nuk mund të arrini ta kuptoni se pse shteti ynë demokratik vazhdon të hiqet zvarrë para të mëdhenjve? Për më tepër, ju kurrë sdo arrini të nxirrni një përfundim se ç’lidhje ka një pushtet i pavarur nga ekzekutivi, siç është gjyqësori, me vendimin që të mos ju jepet azil qendrimi në Shqipëri?
Kur u arrestuat në Rinas në korrik, së bashku me bashkëatdhetarin tuaj turk, mësuesin Harun Çelik, për krimin e fallsifikimit të një vize kanadeze, besonit se kafshimi i dhëmbëve të qenve stërvitur për kundravajtje, do ishin më pak të dhimbshëm nga kafshimi i qenve politikë, por keni gabuar! Në dy gjyqe ju keni shpjeguar se jeni arratisur nga Turqia, ku ju rrezikohej jeta, pasi përndiqeshit nga shteti turk, me akuzën se ishit pjesë e lëvizjes së klerikut Fetullah Gylen! Ju besonit se gjykata shqiptare, vend ku besimi e bindja politike është e lirë, do ta merrnin parasysh argumentin edhe sikur të pohonit se politikisht i përkisnit Gulenit. Do ju dënonin ose gjobisnin për falsifikim dhe do lejoheshit të qëndronit?!
Mbi ju nuk rëndon ndonjë akuzë kriminale. Ju, mbase edhe nuk i përkisni fare asaj lëvizjeje, por e dinit mirë, se nëse emri juaj ishte vënë nga shërbimet sekrete të Erdoganit në listë, pak gjasa ka se do i fshiheshit në Turqi dënimit. Dhe bletë me Harunin nga një vizë fallco. Këto vizat fallco kanë gëluar në Shqipëri për mbi 20 vjet. Si praktika njiheshin mirë nga gjykatat tona. Edhe kur kufiri ynë i kuptonte se ishin të tilla, mjaftonin 20 a 50 euro dhe…hidhu përtej!
Kur shoku juaj, Haruni, u nis i ekstraduar drejt Turqisë; kur patë e dëgjuat se edhe Kosova arrestoi një mësues të dyshuar gulenist, më pas arrestoi edhe disa te tjerë dhe i ekstradoi, (madje pa dieninë e kryeministrit Haradinaj) me të drejtë u trembët. Me avokatin u përpoqët të sensibilizoni opinionin ndërkombëtar, konkretisht atë europian.
Letra e një grupi europarlamentarësh, që i mbërriti qeverisë, i kërkonte asaj të mos e deportojë shtetasin turk Selami Simsek, pasi kjo do të përbënte shkelje të Konventave ndërkombëtare. Por Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët i Shqipërisë nuk jua mori parasysh orvatjen europarlamentarëve! Ai komision e rrëzoi ankimin dhe la në fuqi vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, që vendosi në favor të dëbimit të tij nga Shqipëria.
Nuk kam dieni nëse ish ministri Sandër LLeshaj ka qenë dakord apo jo, por nëse ka qenë dakort, pa mëdyshje kjo do ishte nga të paktat veprime të pamoralshme të tij, sepse ka qenë në dieni të plotë se kërkasa që i bëhej Shqipërisë ishte respektimi i Konventës së Gjenevës për Refugjatët si dhe respektimi i Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Duhet ta kuptoni qeverinë, i nderuar Selami! Ndodhet mes dhëmbëve të Shillës dhe Karribdës. Ajo është e ndërgjegjëshme se vendimi për ju, cilidoqoftë, do të zemërojë ose Turqinë ose Bashkimin Europian, por ska nga ja mban! Pranuam të zemërojmë BE-në. Ju duhet të na kuptoni, se, ndërsa duam të shkojmë në Europë, na duhen edhe ato 500 apartamentet e varglidhjet shumëplanëshe me Turqinë. Neve na duhet miqësia e Turqisë, ndaj duhet të na jepni të drejtë edhe nëse kjo do ju dërgojë si pako postare në Ankara.
Gjithsesi, do keni dëgjuar besoj se Europa ja vuri në dukje Ramës këtë. Edhe ambasadorja e Francës në Tiranë, mes plot arsyeve pse nuk i hapen negociatat për pranimin në BE, s’ja përtoi të përmëndë edhe këtë ndënjjen në dy karrige?!
Me siguri, i nderuar Selami, ju keni dieni, besoj përmes avokatit, se BE-ja ka në përdorim një dokument të rëndësishëm, “Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut”. Brënda kësaj konvente bën pjesë dhe “E drejta për t’u larguar nga një vend”. Shqipëria e ka nënshkruar këtë dokument dhe si palë është e detyruar për t’i siguruar gjithkujt, edhe juve zoti Selami Simsek, të drejtat e parashikuara në Konventë.
Larg qoftë të na marrë inat dhe Turqia, gjej vrimë e futu! Dhe nuk është si ai rasti kur ju thyem pllakën e dëshmorve turq që ranë fli në grushtin e shtetit, ngritur madhështor te Parku i Madh. Ajo tashmë është harruar. Po të jetë se gjykata dhe instanca të tjera do ju jepnin të drejtën e azilit, siç edhe parashikon Konventa, zemërimi i Erdoganit do ishte ku e ku i paparashikueshëm. Kundër fyerjeve ne mund të mbrohemi, por kundër heqjes së ndihmës nuk mbrohemi dot.
Historia juaj, edhe nëse për momentin është e shënuar për opinionin si një ligësi, shpejt do harrohet. Ju do gjykoheni ashpërsisht atje ku do shkoni, këtu ska se kush gjykohet dhe askush ska pse jep llogari. Secili për veten Zoti për të gjithë!
Lamtumirë!
Sju ndihmoj dot më shumë se me këtë letër, në kushtet kur organizma e shoqata të pafundme civile, gazetarë, media e nuk di çfarë tjetër, vegjetojnë dhe heshtin!/a.p