Bardhok Planaj, është një prej personazheve më të komentuar të ‘botës së krimit’. Emri i tij është përmendur sërish jo më larg se mëngjesin e sotëm si një prej të dyshuarve kryesore për sulmin me armë zjarri ndaj lokalit në pronësi të efektivit të forcave “Shqiponja”, Albert Pjetri.
Përveç dy të afërmëve të tij, Planaj ishte në makinë edhe me mikun e tij, në kohën kur efektivi i ka bërë shenjë që të ndalonin. Mesa duket të gjithë kanë pësuar ‘goditje në reputacion’ ndalimin nga Policia e Shtetit dhe kanë premtuar hakmarrjen.
Por kush është Bardhok Planaj, njeriu që trazoi politikën shqiptare?
Planaj ishte në qendër të ciklonit politik në Shqipëri pasi opozita akuzoi mazhorancën se ai ishte fshehur në makinën e ish-deputetit Mark Frroku, ndërkohë që policia e kërkonte si të dyshuarin kryesor për transport droge drejt Italisë në operacionin që mori emrin “Laguna e Vilunit”. Bardhok Planaj u arrestua më 4 dhjetor të 2018-ës për t’u liruar më pas nga Gjykata me arsyetimin se kishte probleme me zemrën. Planaj u lirua me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje, masë të cilën e theu pasi u kap në Lushnje.
Gjykata e Shkodrës ka vendosur sekuestrimin e pasurisë së tij pasi akuzohet për pastrim parash, dhe ndërtim të paligjshëm. Megjithatë nuk dihet nëse vendimi është zbatuar.
Sulmi me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Dobraç të Shkodrës, në ambientët e jashtme të lokalit në pronësi të efektivit të “Shqiponjave” Albert Pjetri. Sot Policia ka shpallur në kërkim 4 persona, mes tyre edhe “Kumbarin e Shkodrës”, Bardhok Planajn.
Në dëshminë e dhënë në Komisariat, efektivi tregoi se e kishte ndaluar gjatë një nate shërbimi Rivaldo Planajn dhe 3 të tjerët në makinë me të dhe i kishte sekuestruar mjetin. Kjo është e vetmja pistë që po hetohet deri më tani.
g.kosovari