Në kuadër të situatës nga Covid 19 këtë të mërkurë hyjnë në fuqi masat e reja kufizuese të marra nga qeveria në detyrë e Kosovës.
Qeveria një ditë më parë ka miratuar planin e ri të masave kufizuese anti Covid, ku sipas të cilave lëvizja e lirë e qytetarëve dhe puna e operatorëve ekonomikë, qendrave tregtare, hotelerisë dhe gastronomisë do të jetë nga ora 05:00 deri në 20:00.
Sipas këtyre masave, personat mbi 65-vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore duke e dëshmuar me dokument përkatës nevojën për dalje jashtë këtij orari tek organi kompetent kontrollues.
Ndërkohë ky është një vendim i cili do të qëndrojë në fuqi deri në një vendim tjetër.
Disa nga masat e marra janë:
Hyrjet e qytetarëve të huaj dhe vendorë në Kosovë
- Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit.
- Përjashtim nga pika 1 më lartë bëjnë:
2.1. Nëse qytetari i huaj hynë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruajnë deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;
2.2. Qytetarët e huaj që punojnë si transportuesi profesionistë (vozitësit), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19;
2.3. Qytetarët e huaj që kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare tranzite, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda 5 orësh;
2.4. Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre;
- Të gjithë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër), gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.
- Përjashtim nga pika 3 më lartë bëjnë qytetarët e Kosovës (përfshirë edhe ata me vendbanim në një shtet tjetër) që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.
- Komunave iu kërkohet që të ofrojnë ekipet teknike mjekësore të QKMF-ve (Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare), që me mbështetjen e Policisë së Kosovës, të bëjnë kontrollin e udhëtarëve që hyjnë në pikat kufitare: Merdar, Vermicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe ANP “Adem Jashari”, përfshirë para se gjithash matjen e temperaturës.
Organizimi i punës së institucioneve publike dhe organizatave/bizneseve private
- Institucionet publike dhe organizatat/bizneset private pa përjashtim obligohen të mbikëqyrin në baza ditore shëndetin e stafit në përputhje me “Manualin për mbrojte nga përhapja e Covid-19”, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.
- Për aq sa nuk ndikon në kryerjen e shërbimeve dhe detyrave të institucioneve, institucionet publike udhëzohen të punojnë vetëm me staf esencial.
- Punëtorët me sëmundje kronike (sipas qarkores zyrtare të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë e përgatitur për këtë qëllim), gratë shtatzëna dhe gratë gjidhënëse lirohen nga paraqitja në punë, si në institucionet publike ashtu edhe në ato private, ndërkaq punëdhënësit udhëzohen, për aq sa është e mundshme, të krijojnë kushtet për angazhimin e tyre në punë nga shtëpia.
- Obligohen institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.
- Obligohen institucionet publike dhe private që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga Covid-19 (përfshirë shenjën e ndalimit të hyrjes në objekt pa maska, respektim e distancës etj.) në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.
- Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike, ndërmarrjeve private dhe të çfarëdo subjekti tjetër, të ndërmarrin masa të rrepta për parandalimin e përhapjes së infeksionit brenda institucioneve të tyre, duke bërë dezinfektim të vazhdueshëm dhe duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me “Manualin për mbrojtje nga përhapja e Covid-19”.
- Të gjitha institucioneve publike (qëndrore dhe lokale) si dhe organizatave, bizneseve dhe subjekteve private pa asnjë përjashtim, iu ndalohet organizimi i çfarëdo ceremonie festive për fundvit.