Ndërkohë që kandidatët po bëjnë fushatë pozitive mes tyre, ky “fair play” po thyhet nga Partia Demokratike. Kjo sepse deri më sot nga selia e PS nuk kemi dëgjuar asnjë akuzë apo baltosje ndaj Kosovës, ndërsa krejt e kundërta ndodh nga ana e selisë blu kundrejt Veliajt.
Sot në një deklaratë tjetër për mediat PD ka sulmuar kandidatin e së majtës për Tiranën duke thënë se ai është përgjegjës për papunësinë dhe varfërinë. Sipas PD, Veliaj gënjen për të marrë votën.
“Erion Veliaj na habit me përsëritjen e premtimeve për hapje vende të reja pune në Tiranë.
Edhe në 2013-ën Erioni premtoi: “40,000 vende të reja pune dhe 12,000 vende pune shoqëruese në industrinë prodhuese nëpërmjet financimit shtetëror të 120 milion USD në 4 vjet, në mbështetje të këtij sektori.”
Ky premtim doli mashtrim . Ku janë 40,000 vendet e reja të punës dhe 12,000 vende pune shoqëruese në industritë prodhuese?
Ku janë financimet 120 miliona dollarësh? Erioni ishte Ministri përgjegjës për ta realizuar këtë premtim.
Ai kishte plot 40% të buxhetit të shtetit për të realizuar këtë si edhe dhjetëra premtime të tjera që po ia përmendim çdo ditë. Ku janë vendet e punës të premtuara? Erioni premtoi, por mashtroi.
Erioni prapë premton veç për të marrë pushtet dhe nuk e ka problem t’i mashtrojë sërish qytetarët sapo ta ketë pushtetin“, thuhet në reagimin e PD.