KPA njoftoi se trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Albana Shtylla, Ardian Hajdari e Natasha Mulaj, vendosi në mënyrë unanime të rrëzojnë ankimin e ish-Këshilltares në Gjykatën e Lartë, Elona Kana.
Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK e përbërë nga Suela Zhegu kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Olsi Komici anëtar, vendosi më 3 shkurt ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Kanën dhe t’i heqë asaj të drejtën për për t’u emëruar në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.
Në vendimin e arsyetuar të KPK renditet gjithë ecuria e procesit të rivlerësimit të Kanas, ku evidentohet fakti se ajo e ka kryer dorëheqjen pak para përballjes me gjetjet përfundimtare të Komisionit në seancë dëgjimore.
Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 2 tetor 2019, Elona Kana kërkoi përjashtimin e relatores së çështjes, Xhensila Pine, kërkesë që u rrëzua si e pabazuar në ligj e prova nga një trupë tjetër gjyqësore e KPK. Kana ngriti dyshime për ndikim politik të Pines në qëndrimin ndaj saj, duke u shprehur se relatorja e çështjes ishte zgjedhur nga Partia Demokratike.
“Kjo për shkak të qëndrimit të bashkëshortit tim në zgjedhjet e 30 qershorit. Pretendoj se qëndrimi i relatores është haptazi subjektiv,” deklaroi atëherë kandidatja për magjistrate.
Kana e lidhi ndikimin politik me funksionin e bashkëshortit të saj, Denar Biba si nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu, Kana e mbështeti kërkesën për përjashtimin e Pines edhe me ndjesinë e saj se nuk ishin marrë parasysh provat dhe dokumentet e dorëzuara në lidhje me udhëtimet e punës si dhe të ardhurat e saj.
Kana pretendoi se nuk mund të vazhdonte gjykimi nëse më parë nuk ishte njohur me qëndrimin e KPK-së pas dorëzimit të provave dhe dokumenteve të reja, dhe deklaroi se nuk mund të bënte një mbrojtje efektive.
Pas dorëheqjes së Kanës nga Shkolla e Magjistraturës dhe për shkak se nuk gëzonte statusin e këshilltares ligjore të Gjykatës së Lartë, KPK e vlerësoi si dorëheqje nga detyra dhe heqje dorë nga procesi i vetingut.
Komisioni konkludoi se nuk kishte më kompetenca për të vijuar vetingun e Kanës apo të jepte vendim për konfirmimin ose shkarkimin e saj nga detyra dhe vendosi të deklarojë të ndërprerë procesin e rivlerësimit kalimtar dhe sanksionin që e ndalon ish-kandidaten për magjistrate të emërohet në institucionet e sistemit të drejtësisë. (Tema)