Nga Lorenc Vangjeli/
Lulzim Basha rihapi sërish të enjten në mëngjez çështjen e hetimit të CEZ-it. Kryetari i PD-së tentoi ta tregtojë sërish problemin e milionave të humbur si një histori sfide mes pozitës dhe opozitës në përgjithësi, por pa harruar të hedhë spicat e rradhës në marrëdhënien mes PS e LSI. Ai tentoi ta trajtojë kërkesën për hetim ndërkombëtar të asaj çfarë ka ndodhur me CEZ-in si një sprovë të të gjithë politikës shqiptare. Dhe në të vërtetë ajo është një sprovë. Por ka gjithmonë një “por” në vështrimin e përgjithshëm të provave, fakteve dhe rrjedhës deri diku të çuditshme që morrën situatat, edhe nën vështrimin e kryetarit të opozitës që e ka të pamundur të shkëputet nga mendësia e një ish-nëpunësi të dikurshëm të UMNIK-ut, kur përkthente akuzat për krime lufte të veteranëve të UÇK-së.
Çështja CEZ, si një minë e kurdisur në fundin e qershorit, shpërtheu në fillim të shtatorit të këtij viti. Fillimisht me bateri të përqëndruara të sulmeve të opozitës mbi Ilir Metën dhe nën heshtjen e Edi Ramës që ndodhej në SHBA. Madje deklarimi i parë i Bashës mbi këtë çështje u bë menjëherë mbas një takimi me ambasadorin amerikan në selinë e SHQUP-it duke dashur të krijojë idenë se për këtë gjë ishin të interesuar dhe amerikanët. Një hile e vogël, më shumë naïve se budallaqe, më shumë e ulët sesa e “mençur”, por mjaftueshmërisht e pisët për të merituar markën “made in “provinca”, që u shoqërua po me yshtjen mediatike që frymëzonte të njëjtën ide. PD në shtator, njëlloj si në mars premtoi protesta në dritaret e kryesisë së Kuvendit për largimin e Metës, por nuk e bëri një gjë të tillë. Sepse as herën e parë kur protestonte për atentatet imagjinare ndaj Doshit e Fufit dhe as herën e dytë, nuk e kishte sinqerisht aksionin e saj politik. Ishte vitalizimi i hileve kundër rregullave, edhe kështu të pakta në moralin e politikës shqiptare.
Sesi shkuan më pas ngjarjet është një gjë që ka të bëjë me kronikën e një të shkuare të afërt. Shumëkush e mban mirë mend se kthimi i Ramës nga SHBA, kontaktet e tij me aleatin Meta, rikrijuan një skemë të tjetër të ndeshjes politike: tashmë ishte ai dhe qeverisja e tij më shumë nën sulm sesa i sulmuari i parë. Berisha e drejtoi gishtin e akuzës ndaj Ramës duke u ndjerë madje edhe i tradhëtuar nga biri i tij politik që i kishte lënë me qera zyrën e tij në PD. Sepse lexohej qartë dëshira e Bashës: sulmonte Metën duke pasur në mend edhe goditjet ndaj vetë Doktorit.
Në epilogun e parë të kësaj historie me shumë seri, pati dy risi të tjera: i pari Doktori dhe më pas edhe Meta hodhën idenë e një hetimi ndërkombëtar. Një ide e njëjtë në thelb, por e bërë për motive dhe arsye të ndryshme, të cilat duket se më pak se kushdo tjetër i ka kuptuar Lulzim Basha. Dje dhe sot. Si një rishtar në politikë dhe si një individ mjaftueshmërisht i vjetër për tgë mos ndryshuar dot në maninën e tij. Në maninë për të ndjekur zakonit e hershëm të të parit të gjërave vetëm përciptas, vetëm në sipërfaqe, Basha njohu edhe në këtë rast efektin e bumerangut. Siç ndodh kur kërkon që me një goditje të godasësh dy zogj dhe përfundon vetë si zog të plagosur.
Hetimi ndërkombëtar siç thoshte Berisha, hetimi ndërkombëtar, por i drejtuar nga amerikanët, siç thoshte Meta është i pamundur, siç thonë në komisionin e ligjeve të parlamentit duke cituar kushtetutën. Madje edhe ambasada amerikane e mohoi zyrtarisht mundësinë e përfshirjes direkte në këtë hetim sipas parimit: nuk ju japim peshk, por ju mësojmë të gjuani!
Ka një retorikë të vjetër me pyetje përgjigje që ndjekin njëra – tjetrën: Ku ishim? Asgjëkundi. Ku po vemë? Po aty! Në të vërtetë askund dhe askurrë nuk ka prehje. Gjithçka është në lëvizje, gjithçka është në dinamikë dhe ndryshim. Si temperatura politike e publikut. Si preferencat e tij. Ndoshta vetëm Lulzim Basha e ka të vështirë të lëvizë nga mendësia e tij e vjetër e UNMIKU-ut, institucionit të nderuar në të cilin ai dikur, siç i thoshin kritikët e tij, përkthente akuzat për krime lufte të luftëtarëve të UÇK-së. Sepse këtë mendësi të tij e njohin edhe miqtë, edhe armiqtë. Të gjithë, përfshi Berishën, e dinë se Basha nuk e ka problem që për inat të miqve, të “flejë” dhe me armiqtë e tij.