Nga Skënder Minxhozi/
Ilir Meta e ktheu buxhetin e vitit 2021 në Parlament në formë mosaprovimi ndaj vëmendjes së pakët për pasojat ekonomike të pandemisë. Bëri në fakt një veprim që nuk hyn në asnjë logjikë normale funksionimi të raporteve mes një kryetari shteti dhe një maxhorance. E cila është votuar e zgjedhur mbi të gjitha për të menaxhuar paranë publike. Por ky hap i Presidentit nuk habit më askënd, pasi deri tani ai ka arshivuar thirrje të hapura për të rrëzuar qeverinë, kërcënime gjithfarësh për protesta apo akuza për “grup kriminal të organizuar” ndaj PS e shumicës së saj.
Mes Ilir Metës e Edi Ramës është ulur këmbëkryq një situatë e pakthyeshme lufte, e cila ka si kulminacion 25 prillin dhe atë çfarë do të ndodhë pas asaj dite.
Por konflikti mes Presidentit e Kryeministrit ka mbi të gjitha një sfond partiak e elektoral, i cili është në thelb ai i katër viteve më parë. Duket sikur një tablo identike po përsëritet nga e para, në kushte e rrethana krejt të ngjashme. Duket sikur një partiturë zgjedhjesh tashmë e parë, me Çadrën e vitit 2017 në mes, po nis të zbatohet edhe një herë tani, kur të gjithë duket se luajnë lojën finale të shahut mes tyre.
Që ta shpjegojmë më qartë, duket se mes tre partive kryesore që do të garojnë në 25 prill, ka një ripërsëritje të të njëjtës kundërshti, si në zgjedhjet paraardhëse. Atëhere kur Edi Rama arriti të kryejë një akrobaci të pamundur, duke shitur si kundërshtare partinë (LSI) me të cilën kishte bashkëqeverisur dhe duke futur ne qeverisje partinë (PD) me të cilën supozohej të garonte për pushtetin.
Nëse kjo alkimi elektorale u bë e mundur katër vite më parë, kur Meta ishte ende formalisht një “aleat”, për Ramën është ku e ku më e lehtë ta shesë si armikun kryesor LSI në këto zgjedhje. Duke përsëritur paralelisht të njëjtën marrëdhënie dashuri-urrejtje ndaj Lulzim Bashës. Pak ditë më parë Kryemadhi deklaroi rrëshqitazi se Rama po e josh Bashën”. Një deklaratë që përputhet me qëndrimin e ftohtë disamujor të partisë së saj ndaj kreut demokrat. Kur Basha u sulmua me fishekë manovre nga PS për rolin e tij gjatë kohës së hetimeve kundër UÇK, as Meta e as Kryemadhi nuk shpenzuan asnjë fjalë në mbrojtje të atij që formalisht e kanë partner politik.
Prej kohësh Meta ka hedhur thumba e shigjeta kundër Lulzim Bashës. “Provo që s’je peng si Izetbegoviçi në aeroportin e Sarajevës”, deklaronte para pak kohësh presidenti për kryetarin e PD, ndërkohë që në anën tjetër të barrikadës, Edi Rama nuk le rast pa nënvizuar, diku me gjysëm humori e diku me seriozitet se “me Lulin mund të flitet, Luli është djalë i mirë”. Dhe si me magji shfaqet fantazma e “qeverisë së madhe” PD-PS që aq shumë e acaron Presidentin.
Në zgjedhjet e ardhshme, ashtu si në verën e vitit 2017, po marrin formë një garë elektorale, si dhe një akt i pakthyeshëm urrejtjeje. Gara elektorale është mes PS e PD, me të gjithë elementet e saj të imagjinueshme, kurse akti i pakthyeshëm i urrejtjes duket se po konsumohet “brenda strehës ideologjike”, mes PS e LSI. Lufta brenda llojit është më e ashpër, thotë shprehja, por në këtë rast kjo valle shpatash treshe, nuk është vetëm një çeshtje batutash.
Thellë-thellë, duket se prej disa vitesh nuk po ndeshen mes tyre vetëm tre forca politike që kërkojnë pjesën e tyre të pushtetit, sa herë që ka zgjedhje, por edhe katër persona me fate e karriera krejt të ndryshme, që koha, rrethanat, formimi dhe interesat e momentit, i ka grupuar në formën e dy çifteve politike: Berisha-Meta në njërën anë dhe Rama-Basha në anën tjetër. Janë katër liderë politikë, ku dy prej tyre kanë 30 vjet në politikën aktive, e dy të tjerët më pak se ata. Janë dy çifte që kanë kuptuar se janë të lidhur mes tyre nga njëmijë fije të dukshme e të padukshme, që nisin tek torta e pushtetit, e mbarojnë në SPAK. Dhe kjo i bën të sillen mes tyre në shpërfillje të barrierave të siglave partiake e ideologjive.
Me shumë gjasë në 25 prill do të fitojnë edhe një herë këto interesa të padukshme, mbi deklaratat, kërcënimet, programet e rreshtimet elektorale. Dhe në fakt kjo është gara e vërtetë, jo ajo e fjalëve të ditës që i merr era. Po ndodh prej disa vitesh një përpjekje për të vënë rend në rotacionin e karrierave, i cili mund të rezultojë më i rëndësishëm se edhe vetë rotacioni i partive.