Ish- drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi u paraqitën sërish sot para gjykatës në Hagë. Seanca filloi rreth orës 11:40 dhe pritet që palët të njihen mbi ecurinë e çështjes.
Prokuroria në Hagë ka bërë me dije se i janë dorëzuar mbrojtjes 1309 materiale shfajësuese!
“Në lidhje me procesin e nxjerrjes së materialeve deri tani prokuroria i ka dorëzuar 1309 materiale potencialisht shfajësuese, dhe kemi bërë nxjerrjen e materialeve mbështetëse, në gjuhën shqipe dhe angleze. Kemi nxjerrë edhe deklarata nga të akuzuarit. Materialet në bazë të rregullës 102/1, prokuroria ka nxjerrë 1764 dokumente, duke marrë parasysh dokumente që kanë probleme teknike. Po kryejmë kontrolle të hollësishme për t’i hequr të gjitha vështirësitë teknike”, tha prokurorja.
“Paketa është dorëzuar që në 10 dhjetor, por për shkak të probleme teknike marrësve nuk është dorëzuar një njoftim elektronik. Sa i përket llojit të materialit Prokuroria është përpjekur të japë një përshkrim domethënës”, shtoi ajo.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të muajit nëntor. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.
Për pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndon akuza për krime, vrasje, tortura në vendndodhje si Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljakë, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash dhe të tjera.
g.kosovari