Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot znj. Vjosa Osmani, Presidente në detyrë dhe Kryetare e Kuvendit, të Republikës së Kosovës, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri.
Pasi i uroi mirëseradhjen në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi, vuri në dukje se kjo vizitë, shënon një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës, sidomos për bashkëpunimin parlamentar, i cili është shumë i mirë, por duhet të vazhdojë të zgjerohet e fuqizohet.
“Kosova po përjeton periudhë zhvillimesh dramatike për të ardhmen dhe prestigjin ndërkombëtar të saj. Ne vlerësojmë qëndrimin dinjtoz të drejtuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe gatishmërine e plotë të tyre për t’i dalë përballë drejtësisë dhe zbardhur të vërtetën e luftës së madhe për shpëtimin e popullit të saj nga krimet monstruoze dhe gjenocidi i Serbisë. Ne nuk duhet të lejojmë që të njolloset imazhi i Kosovës, i luftës së saj çlirimtare dhe i përpjekjeve për t’u ndërtuar, njohur e integruar si shtet i pavarur. Vepra e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çlirimi i Kosovës dhe pavarësia e saj, e arritur me mbështetjen e popullit të Kosovës dhe në partneritet me aleatët e mëdhenj dhe strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe NATO. Për çlirimin e Kosovës NATO dhe fuqitë perëndimore për herë të parë hynë në një luftë, e cila u vlerësua si “ndërhyrje humanitare. UÇK-ja dhe populli kosovar kanë qenë në anën e duhur dhe të drejtë të historisë. E vërteta është se Kosova, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe udhëheqësit e saj ishin viktimat përballë agresorit dhe jo e kundërta. Drejtësinë e kësaj lufte e ka vërtetuar koha. Shqipëria është e bindur se të gjitha akuzat kunder udhëheqësve të luftës së drejtë të Kosovës, që fatkeqësisht bazohen në raportin-plagjiaturë të Dick Marty, kujtimet e prokurores Karla del Ponte dhe raportin e prokurorisë serbe, nuk janë të bazuara në prova, por në shpifje e fantazi të sëmura. Kërkohet unifikimi i qëndrimeve politike e kombëtare të të gjitha institucioneve, forcave politike dhe zërave publikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të Kosovës dhe për Kosovën. Të mos lejojmë që e vërteta e Kosovës të përmbyset dhe dosja e Kosovës të hiqet nga tryeza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Te Presidenti Biden, Kosova ka një mbështetës edhe më të fuqishëm që e njeh mirë rajonin dhe Kosovën.”, theksoi Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Presidentja në detyrë, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për bashkëpunimin, ndihmën dhe kontributin e Shqipërisë në mbështetje të Kosovës. “Ne duhet të bashkëpunojmë qe e vërteta për Kosovën të mos përmbyset para syve tanë. Duhet të tregojmë e ritregojmë të vërtetën e Kosovës. Duhet të punojmë për të kundërshtuar dhe rrëzuar argumentet e Serbisë që të mos njihet Kosova derisa të përfundojë dialogu. Duhet tua bëjmë të qartë të gjithëve se dialogu Kosovë-Serbi nuk është për statusin e Kosovës. Ne vlerësojmë kontributin dhe zërin e Shqipërisë në institucionet dhe mjediset ndërkombëtare ku Kosova nuk është e pranishme.”, nënvizoi znj. Vjosa Osmani.
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Presidentja në detyrë, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani, biseduan edhe mbi bashkëpunimin midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës si edhe shkëmbimin e përvojave në fushën e reformave, integrimit europian etj./a.p