Detaje të reja trondisin rrethanat e zhdukjes në Itali të çiftit shqiptar Shpëtim e Teuta Pasho.
Shpëtim e Teuta Pasho 54 e 52 vjeç të zhdukur në 2 nëntor 2015, u gjetën të copëtuar dy ditë më parë, të futur në 4 valixhe të hedhura në afërsi të murit rrethues të burgut të Sollicianos në provincën e Firenzes.
Zhdukja e 40 mijë eurove, dalja e djalit nga burgu në të njëjtën ditë të zhdukjes së tyre, shpallja në kërkim e tij nga drejtësia italiane, era e keqe që vinte nga grazhdi i shtëpisë, janë disa nga detajet e reja që përpiqen të hedhin dritë mbi rrethanat e zhdukjes së çiftit shqiptar.
Por njëherësh komplikojnë punën e autoriteteve italiane të cilët po hetojnë gjerësisht në sferën familjare për të zbardhur autorin e motivet e kësaj vrasje makabre.
Në emisionin “Chi l’ha visto” në kanalin RAI 3 të televizionit publik italian,u trajtua gjerësisht kjo ngjarje duke zbardhur detaje të forta.
Shpëtim e Teuta Pasho janë zhdukur në datën 2 nëntor 2015 e në të njëjtën ditë kur do të dilte nga burgu djali i tyre Taulant Pasho, i dënuar për trafik droge.
Dorina Pasho, vajza e çiftit, deklaroi se prindërit kishin ardhur në Itali për të takuar djalin që do të dilte nga burgu dhe se në telefonin e saj me një numër anonim kishte telefonuar një zë gruaje duke i thënë se ishte Teuta, pra nëna e saj, duke kërkuar që nuk dëshironin të flisnin më me askënd”.
g.kosovari