Nga Mero Baze
Albin Kurti dhe mund t’ia kursente vetes mllefin publik për dështimin e “Vetëvendosjes” në Tiranë, gjatë revoltave disa ditore të të rinjve shqiptarë. Shumë liderë të opozitës në Tiranë e bënë këtë, edhe pse me sforcim.
Përshembull, Lulzim Basha bëri sikur nuk e kishte mendjen fare.
Ilir Meta, edhe pse ‘Stresi’ i bërtiti me të madhe “Ku je, ku je”, nuk i ktheu fjalë.
Berisha bëri sa mundi, por aq fuqi kishte, se burrë plak. Ata dy djemtë e “Vetëvendosjes” në Tiranë, ishin aty përditë duke bërë selfie përballë policëve, por nuk patën fat të viktimizoheshin, që Albini të kishte dhe një hero protestash në Tiranë, siç ka 3 në Kosovë.
Klodianin dhe familjen e tij, mund t’i ngushëllonte ditët e para kur ndodhi ngjarja, jo dje. Dje, kur mbaroi protesta, e gjitha ngjante më shumë si një ngushëlim për veten që nuk ja doli dot dhe që nuk e përdori dot vdekjen tragjike të një të riu, për axhendën e vet politike. Me sa duket kishte pritur ta inaguronte “Vetëvendosjen” në Tiranë, në këtë revoltë.
Por përtej kësaj, ka tre mesazhe konfuze të Albin Kurtit, të cilat tregojnë se ai është më nervoz që nuk po mund dot Edi Ramën në Tiranë, se sa ata në Kosovë.
E para, ka të bëjë me atë qasjen që ai ka për të bërë politikë me vdekjen. Albin Kurti duhet të kuptojë, se jo çdo i vrarë shërben për të fituar pikë në politikë. Të vrarët në protesta politike prej policisë ndryshojnë shumë nga një i vrarë prej një polici të papërgjegjshëm në një rrugicë të Tiranës.
Ideja fikse e Albin Kurtit, që pasi të vritet dikush, partia mund të fitojë pikë politike, është aplikuar prej tij për herë të parë në Prishtinë më 2007, kur UNMIK vrau dy protestues të “Vetëvendosjes”, Mon Balin dhe Arben Xheladini. Njëjtë përdori dhe vdekjen tragjike të Astrit Deharit në burgjet e Kosovës, pasi u arrestua pas protestave.
Këtu ka zgjedhur aleatë të gabuar, pasi ata që ai kërkon t’i fusë në këtë rrugë si viktima protestash, nuk janë ata që vriten, por ata që kanë vrarë në këtë vend.
Sali Berisha dhe Ilir Meta, që janë aleatë të ngushtë të Albin Kurtit, kanë vrarë më 21 janar, në një protestë që kishte përfunduar dhe njerëzit po iknin në shtëpi. Dhe kanë vrarë për të mbrojtur nga burgu një hajdut, meqë Albini e ka merak korrupsionin.
Kështu që ata më shumë i vë në siklet kur përpiqet t’i instruktojë si të bëjnë politikë me të vrarë. Ata bëjnë politikë duke vrarë.
E dyta, Albin Kurti është bërë njeri popullor tek pjesa e shoqërisë së Kosovës që nuk e duan praninë ndërkombëtare. Ai është mishërimi i asaj pjese të shoqërisë së Kosovës që është mosbesues ndaj Perëndimit dhe atyre që çliruan Kosovën. Është njeriu që akuzonte Shtëpinë e Bardhë se po i ngulte thikat pas shpine Kosovës.
Albin Kurti marshoi me arkivolët e dy viktimave të vitit 2007 nga UNMIKU, duke i shndërruar ata në një kauzë kundër pranisë ndërkombëtare në Kosovë dhe komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi, duke i mëshuar idesë, se Kosova nuk ka nevojë për ndërkombëtarët.
Dhe për ironi të fatit, ky njeri që ka bërë kauzë kundër ndërkombëtarve për të vrarët në protesta, dje çuditërisht theksoi se me Shqipërinë “janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve”.
Nuk di cilët partnerë ndërkombëtarë janë zhgënjyer nga protesta dhe me kë palë janë zhgënjyer. BE, SHBA, ambasadori gjerman dhe diplomatët e tjerë Perëndimorë në Tiranë, kanë qenë të qartë në qëndrimet e tyre publike. Mos të them pastaj qëndrimet jo publike. Për ato mund të pyesë Monika Kryemadhin meqe e ka aleate kundër korrupsionit në Shqipëri dhe Kosovë, se ajo i tregon çfarë i kanë dëgjuar veshët.
Nëse e ka fjalën pastaj për ndërkombëtarë të tjerë, të na tregojë (nuk besoj të na thotë që Rusia është e shqetësuar për dhunën policore ndaj të rinjve, se do ishte tepër).
E treta, ka të bëjë me përfshirjen e Albin Kurtit, por dhe idhtares së tij më të re Vjosa Osmanit, në punët e Shqipërisë. Nuk është se bëjnë keq që përzihen në punët e Shqipërisë politikisht. Nuk jam me ata që thonë të rrinë në punë të vet.
Por e vetmja gjë që e lidh Vjosa Osmanin me Ilir Metën, është se janë dy presidentë pa popull, që janë aty aksidentalisht. Ndaj nuk ja vlen të merresh me ta.
Albin Kurti është një populist që ka bërë mirë që ka hapur degën e partisë së tij në Shqipëri dhe që ka përcaktuar aleatët e tij, Sali Berishën dhe Ilir Metën, por nuk ja kemi ne fajin që nuk e përfill njeri.
Kur dëshpërohet që nuk ja del dot këtu, nuk ka pse bën sikur nuk dështoi ai, por të tjerët. Ai dështoi këtë javë në protestën që tentoi të përdorë për të promovuar “Vetëvendosjen”.
Dhe kjo lexohej qartë tek paragrafi i fundit i reagimit të tij, kur me një delir që as Enver Hoxha nuk e ka pasur në kohë të vet, shpjegonte se në Kosovë, nuk ka revolta, pasi të rinjtë kanë shpresë tek ardhja e shpejtë e “Vetëvendosjes” në pushtet. Kjo do të thotë që në Shqipëri ka revolta se të rinjtë nuk kanë shpresë që Ilir Meta dhe Sali Berisha do të vijnë shpejt në pushtet.
E dimë këtë Albin, por as ty nuk po të presin, se u ngjan me ata.