Krahas tamponëve, për evidentimin e koronavirusit në popullatë nga 20 Dhjetori do të nisë edhe aplikimi i testeve të shpejta.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, teksa mori pjesë në përurimin e ambienteve të reja të Qendrës Shëndetësore në Pajovë të Peqinit, bëri të ditur se qytetarët do të kenë mundësi ta kryejnë atë vetëm nëpërmjet rezervimit tek mjeku familjes.
“Ne do ta shtrijmë këtë testim edhe në qendra shëndetësore të mirëpërcaktuara, që do të mbulojnë një zonë të përcaktuar në komunitet, për të patur më shumë akses në testimin e shpejtë, për të bërë të mundur një kapje të shpejtë të rasteve sipas indikacioneve të mjekëve të familjes, të cilët nëpërmjet sistemit elektronik do të përcaktojnë orën e saktë të bërjes së testit të shpejtë në qendra shëndetësore”.
Procesi do të nisë nga kryeqyteti dhe për të vijuar më pas në gjithë vendin.
“Do fillojmë me Tiranën, ku do të ketë 6 pika të caktuara për testimin e shpejtë në qendra shëndetësore, do të zgjerohemi në 10 pika në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë”.
Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se për 2021 do të vijojë rimbursimi 100% për trajtimin ambulator në banesë të Sars-Cov 2, për të cilin në buxhetin e ardhshëm është parashikuar një fond prej 12 milionë Dollarë.
/a.r