Në Korrik të vitit 2002, emërohet në krye të Ministrisë së Rendit ish-gazetari i Zërit të Popullit Luan Rama. Ai ishte në krye të dikasterit kur u zhvillua një operacion i gjerë kundër skafeve dhe gomoneve që trafikonin klandestinë dhe lëndë narkotike në Itali.
Ky operacion ndodhi si pasojë e kërkesës së prerë që kryeministri Italian i kohës Silvio Berluskoni i bëri homologut të tij shqiptar. “Do mbahet mend si njeriu që nisi operacionin ‘puna’ për ndërprerjen e trafikut të klandestinëve dhe jo vetëm klandestinëve por edhe drogave”, tha gazetari Ferdinand Dervishi.
Pavarëisisht arritjeve, një gjest i shëmtuar shënjoi karrierën e Ramës që i kushtoi shumë. Ministri goditi me grusht gazetarin Ilir Babaramo gjatë një ceremoni kokteji.
“Një episod që unë në fakt e kam harruar. Një situatë absurde kur e shoh sot e krijuar ndaj një ministri gazetar siç isha unë prej kolegëve gazetarë të cilët sot pas shumë kohësh kur e shohin me qetësi atë ngjarje më thonë që ka qënë e instrumentalizuar për ta kënaqur egon e disa faktorëve politikë në vend me synim rrëizmin e qeverisë së kohës, pra rrëzimin e qeverisë së zotit Nanon dhe për të krijuar situatë problemaitke në qeverisje”, tha ish-ministri Luan Rama.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta. Shoqata e gazetarëve protestoi para ministrisë në atë kohë. Ai episod nervozizmi solli edhe fundin e karrierës së Luan Ramës. “Incidenti për mua ishte thjesht preteksti, sepse shikoni kush erdhi pas Luan Ramës, kaq e thjeshtë është…” tha gazetari Artan Hoxha.
/a.r