Ministri gjerman i Shëndetësisë rriti më tej presionin mbi agjencinë rregullatore të Bashkimit Evropian, EMA, duke kërkuar që ajo të miratojë për përdorim urgjent vaksinën kundër koronavirusit përpara Krishtlindjeve.
“Qëllimi ynë është një miratim përpara Krishtlindjes në mënyrë që të mund të fillojmë vaksinimin këtë vit,” tha Jens Spahn të hënën vonë, shkruan agjencia e lajmeve dpa.
Spahn e kishte shprehur edhe më herët padurimin lidhur me Agjencinë Evropiane të Barnave, kur të Dielën tha se Gjermania ka krijuar më shumë se 400 qendra vaksinimi dhe ka aktivizuar rreth 10,000 mjekë dhe staf mjekësor dhe ishte e gatshme të fillonte vaksinimet masive që nga e Marta.
Spahn po bën presion për aprovimin e shpejtë të vaksinës së zhvilluar nga BioNTech e Pfizer që tashmë është autorizuar për përdorim në Britani, SH.B.A., Kanada dhe vende të tjera.
Por Gjermania nuk mund ta përdorë atë sepse ende është duke pritur miratimin nga EMA, e cila vlerëson barnat dhe vaksinat për 27 vendet e BE.
g.kosovari