Kreu i Partisë Socialiste Fier, njëherësh zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka reaguar ashpër sa u takon protestave të dhunshme që kanë mbërthyer vendin, pas vrasjes së një të riu nga policia.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Koçi mes të tjerash akuzon opozitën se ajo ka si synim dhe prodhon vetëm krim, ndërsa shtoi se nëpërmjet dhunës po imponohet kultura fundamentaliste.
“Partia Demokratike, mitra politike që pjell krim. Dega e PD Fier me stilin “vir zjarrin dhe fshih dorën” është munduar mbrëmë me anë të një deklarate me fjalor fondamentalist të argumentoje se Partia Socialiste paska paguar militantët e Partisë Demokratike dhe fëmijë të tyre për të vënë zjarr e thyer xhama nëpër qytet. Ne paskëshim paguar edhe vetë kryetarin e PD të inspektonte operacionin zjarrvënës e gurëhedhës para selisë së Partisë Socialiste. Këtë deklarate të tipit sigurims, ku zbulueshmëria kap nivele spektakolare, s’ka shans ta besojë asnjë pëdëist i degës së shpartalluar të Partisë Demokratike në Fier e jo më qyteti ynë. U bëj thirrje njerëzve me mend dhe me kulturë që kanë mbetur akoma në PD të distancohen nga këto praktika të dhunës e zjarrvënies dhe të përpiqen të imponojnë në Partinë Demokratike kulturën demokratike të pranimit të verdiktit të votës dhe jo verdiktit të bandave që shkatërrojnë qytetin”, deklaroi ai. Më tej kreu i Partisë Socialiste Fier, njëherësh zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi i ka bërë thirrje opozitës të distancohet nga aktet e dhunës, ndërsa theksoi se Partinë Demokratike nuk e shpëton zjarrvënia nga humbja në 25 prill.
“Partinë Demokratike e shpëton vendosja e mendimit qytetar në punën e saj dhe jo zjarrvënia për të kërcënuar qytetin! U lutem prindërve të atyre fëmijëve që po përdoren nga PD për të djegur e plaçkitur objekte në qytet t’i shpëtojnë këta fëmijë nga shndërrimi u tyre në kamikazë politik që do të krijonte pasoja të parikuperueshme për të ardhmen e atyre vetë. Fieri dhe Shqipëria do t’ia dalin! Partia Demokratike, sa kohë vazhdon me metoda banditeske, do të mbetet në bisht”, nënvizoi Koçi.
g.kosovari