Deputetja socialiste, Klotilda Bushka, tha në rubrikën “Opinion”, në News24, se protesta kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia po përdoret nga opozita për të fituar kredite politike.
Teksa e cilësoi të pazakontë vrasjen e të riut nga efektivi i “Shqiponjave”, deputetja Bushka theksoi se ky rast nuk duhet përdorur për të sulmuar policinë, aq më tepër duke nxitur dhe ushtruar dhunë.
“Duhet t’i shprehim ngushëllim familjes, që i riu humbi jetën në mënyrë të pazakontë, i vrarë nga një polic. Por ky episod është i shkëputur dhe nuk duhet të përdoret për të sulmuar Policinë e Shtetit. Është policia e qytetarëve, jo e qeverisë apo kryeministrit. Është e rëndësishme që të gjitha organet e drejtësisë të bëjnë punën e vet dhe të nxjerrin para drejtësisë përgjegjësit. Zemërata e të gjithëve është e kuptueshme, e shprehur edhe në formën e protestës. Unë i mirëkuptoj të gjithë qytetarët, por edhe protesta mbart të drejta dhe detyrime. Unë shoh në këtë protestë dhunë, militantë të opozitës që bëjnë veprime që nxisin dhunë. Protesta nisi jo vetëm nga militantë, por edhe qytetarë, por kurrë nuk bie dakord që qytetarët kërkuan që kauza të bëhej e dhunshme. Ne pamë militantë të PD, përfaqësues të LSI. Ishte dhe vetë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës. Nuk janë të rastësishme kur goditen selitë e PS në protesta. Është një çështje, që në gjykimin tim ngatërron kthjelltësinë e kauzës së protestës me euforinë”, tha deputetja.
Pyetje: A mund të dhunohen të miturit? A mban përgjegjësi qeveria?
Bushka: Në parim, protokolli i të drejtave dhe detyrimeve për protestuesit parashikon të drejta dhe detyrime dhe për organet e rendit, që kanë për detyrë të mbrojnë pronën publike. Ka rregulla të qarta si vepron Policia e Shtetit karshi dhunës. Sigurisht që nuk është normale ndaj të miturve, por në një turmë njerëzish organet e policisë nuk dinë moshën. Në Shqipëri ekzistojnë të gjitha mekanizmat e hetimit, edhe në rastet e dhunës ndaj të miturit. Duhen bërë hetime të pavarura dhe të paanshme dhe nëse dilet në konkluzionin se është ushtruar dhunë, patjetër që do të merren masa. Ama nuk duhet nxitur dhunë dhe as nuk duhen nxitur të miturit, të cilët nga ana e tyre duhen ndërgjegjësuar. Unë dyshoj që ka elementë që e nxisin këtë lloj dhune, sepse gjendet sebep nga opozita e dhunës për të përdorur këtë kauzë, duke përdorur fatkeqësisht edhe të miturit, për të fituar kreditë politike për të marrë pushtetin, që në fakt nuk e fitojnë dot. Vrasja e Klodian Rashës është e pazakontë dhe na ka lënduar të gjithëve, por e rëndësishme është të dalin përgjegjësit para ligjit. Ky është modeli që duhet të marrë sot jetë dhe të mbështetet nga të gjithë. Por, ngjarja po përdoret nga opozita, duke nxjerrë fëmijë në rrugë. Gjaknxehtësia dhe dhuna nuk zgjidhin asgjë. Gjërat zgjidhen në mënyrë të paqme. Thirrja ime është që të zbardhet sa më parë e vërteta dhe protesta të mos përdoret për kredite politike.
Qeveria ka detyrimin që të dëgjojë protestuesit, kur protesta është e drejtë dhe e paqme. Duhet të jemi të gjithë të qartë që dhuna nuk sjell asgjë të mirë.