Komisioni parlamentar i ekonomisë ka diskutuar këtë të mërkurë një draft që nuk lejon asnjë pikë basti sportiv pranë shkollave, xhamive apo kishave, në një distancë jo më të afërt se 200 metra. Ky ligj ka përplasur deputetët e mazhorancës dhe opozitës, të cilët kanë thënë se drafti lejon hapësirat për të krijuar monopole.
“A e dini se në një qytet që ka dy shkolla, një kishë dhe një xhami, i bie që nuk duhet të ngrihet asnjë pikë lojërash fati të këtij lloji, sepse aq është qyteti? Nga 15 deri në 200 metra është tepër kufizuese dhe shtrënguese”, tha ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.
“Zoti Bode, qëllimi i këtij ligji është reduktimi deri në mbyllje i këtyre lojërave. Këtu bëhet fjalë për lokalet e basteve sportive dhe, në qoftë se ka një gjë që vazhdon të jetë e përhapur pa fund nëpër qytetet tona, ato janë lokalet e basteve. Nuk ka pallat që të mos ketë në kat të parë një pikë basti. Me këtë ligj nuk po i heqim dot larg kateve të para të pallateve, të paktën të jenë larg këtyre 3 institucioneve”, u kundërpërgjigj kreu i këtij komisioni, Erion Braçe
“Kopshte, shkolla dhe institucione kulti ka jashtëzakonisht shumë. I bie që në të gjithë Tiranën të mbeten 10-20 nga këto pika bastesh, kështu që më mirë t’i ndaloni fare. Kush do t’i mbajë këto 20 pastaj?”, replikoi sërish deputeti demokrat, Bode.
Pas debateve, komisioni e shtyu për më vonë nenin, që përcakton distancën nga objektet e kultit. Paralelisht, qeveria kishte parashikuar në draft, që edhe distanca ndërmjet pikave të ishte jo më e vogël se 200 metra. Por edhe votimi i kësaj pike u shty për më vonë.
Veç reduktimit të basteve sportive, ligji i ri i nxjerr jashtë qyteteve edhe kazinotë, duke i zhvendosur ato vetëm në zonat bregdetare.