Të enjten u mbajt në distancë mbledhja e Komitetit Drejtues të Forumit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Një strukturë që mbledh përfaqsësues të lartë të Bashkimit Evropian, zyrtarë të lartë vendeve të rajonit dhe institucione financiare të fokusuara në investimet dhe financimin e projekteve të Ballkanit Perëndimor.
Shqipërinë e përfaqësoi në këtë takim Kryenegociatori i integrimit evropian Zef Mazi. Gjatë takimit komisioneri evropian i zgjerimit Varhelyi deklaroi se ka ardhur koha që rajoni i Ballkanit Perëndimor të konsiderohet një hapësirë evropiane dhe si e tillë, ai të marrë investimet e nevojshme për të ngritur nivelin e infrastrukturave të tij, në standartet evropiane.
Për Shqiperinë Komiteti Drejtues miratoi dy projekte me rëndësi madhore për vendin:
- Bajpasin e Tiranës – Granti i investimit për këtë projekt është 32,611,306 Euro (përfshirë kostot e implementimit) dhe kosto totale e investimit 150,883,091 Euro. Mbështetës për këtë projekt është BERZH.
- Rehabilitimin e Hidrocentralit të Fierzës – Granti i investimit për këtë projekt: 8,548,000.00 Euro (përfshirë kostot e implementimit) dhe kosto totale e investimit 42,660,000 Euro. Mbështetës për këtë projekt do të jetë KFW.