Ndërkohë që në kryeqytet vijon revolta e të rinjve ndaj vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, kryetari i PD-së Lulzim Basha, përmes një mesazhi në Twitter i ka kërkuar Policisë së Shtetit të garantojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Basha thekson se ditën e sotme ai ka zhvilluar biseda me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në vend, ku dënoi gjuhën e urrejtjes të kryeministrit dhe brutalitetin e policisë, si dhe bëri thirrje për një hetim transparent për ngjarjen e rëndë.
Basha në Twitter: Sot kam patur disa biseda me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar lidhur me zhvillimet e fundit. Ndava thirrjen për një hetim transparent dhe drejtësi për vrasjen e Klodjan Rashës, si dhe zbardhjen e përpjekjeve për manipulimin e ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve para ligjit.
Dënova gjuhën e urrejtjes të përdorur nga kryeministri, si dhe brutalitetin dhe dhunën e policisë ndaj minorenëve dhe gazetarëve. Përsëris thirrjen për të ndalur brutalitetin e policisë dhe për të garantuar të drejtën e protestuesve për të protestuar të lirë dhe paqësisht.
Me 25 Prill ne do ta largojmë këtë qeveri dhe do të sjellim shpresë dhe ndryshim për Shqipërinë./a.p