Nga Alba Malltezi
E nisim me Sali Berishën të parin, si më i moshuari e politikani më jetëgjatë në historinë moderne të Shqipërisë sonë. Intervista e tij me gazetaren Ilva Tare ishte një metamorfozë e frikshme e një njeriu që nga pesha e urrjetjes, helmit, vrerit, pakënaqësive merr formën e një qënieie të papërcaktuar. Si mundet të shndërrohet kështu një malësor? Nuk mund të shndërrohet kështu një malësor! Ka gjëra që ne nuk i dimë, nuk i njohim, të cilat, edhe pse në të kapërcyer të shtatëdhjetave me kohë tashmë, e bëjnë Sali Berishën në vend të një të moshuari të matur e të mencur, politikanin më të frikshëm; liderin që në cdo fjali ka një sharje, kërcënim, shpifje, urrejtje për dikë!
E si gjithmonë, ai/ajo dikë, është nga ata shqiptarë që nuk ja kanë mbështetur e mbështesin mendimin e veprimin. Duhet parë dëgjuar dhe ridëgjuar ajo cfarë tha Berisha dy netë më parë, ndërsa Tirana përflakej nën protestat në mbështetje të 25 vjecarit të vrarë, Klodjan Rasha. Kushedi nga fliste Sali Berisha i lidhur në Skype, nga shtëpia e tij në një nga lagjet më të bukura e të shtrenjta të Tiranës?
Nga zyra e tij në një nga kullat më të bukura e luksoze të Tiranës apo nga vila më e madhe dhe më luksoze në vijën e parë të vilave të përfolura në rezortin në Lalëz? Ngado që të raportonte, si mund të raportohet me aq mllef, e vetëpëlqim për 4 vrasje e gëzim se ishte gati të qëllonte edhe me 5 snajpera kundërshtarin politik? E të gjitha këto monstruozitete të thëna pa ndrojë, u thane live. Por tashmë, cështja “Sali Berisha” është një rast i pashpresë. Askush nuk mund të shpresojë më që kritikat, këshillat, mund ta përmirësojnë atë.
Kalojmë tek më të rinjtë: Presidenti Ilir Meta kishte shancin të linte gjurmë të jashtëzakonshme në politikë, por edhe ai tregoi se është një hakmarrës i palodhur ndaj cdo mendimi kundër, ndaj cdo rezultati sondazhesh, apo shkrim gazetarësh që nuk i përkëdhel sedrën. Edhe ky lider ballkanas me ofiqet që do t’ja kishte zili kushdo, duket se është i pakënaqur, madje i dëshpëruar të kërkojë e pretendojë lëvdata. Në të kundërt bëhet ai që disa prej nesh e kanë provuar se si është bërë.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, herë pas here japin sinjale se dinë, apo duan të ndryshojnë, por edhe ata bien në batakët e urrejtjes, hakmarrjes, shpifjes, manipulimeve, dhunës, në dëshpërimin e vështrimit të një horizonti politik që nuk i favorizon.
Në gjithë këto vite, në vend që të dëgjonin zërat kritikë dhe me zgjuarsinë qoftë edhe të influencerit më të rëndomtë, të ndryshonin e përmirësiheshin, bien nga bataku në batak duke u bërë panorama që tani njohim përmendësh: ajo e regresit, dhunës, manipulimit dhe shkatërrimit.
Le të mbyllim sytë e të mos shohim në fytyrë asnjë nga të rinjtë që bënë dy ditë protesta nëpër rrugët e Tiranës. Nuk i njohim emrat e tyre, nuk dimë nga vijnë dhe kush janë, por këto ditë na ngjajnë tmerrësisht identike me dhjetëra të tjera ku në krye kishin këta liderë shqiptarë: Sali Berishën. Ilir Metën, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin. Performanca politike e tyre është tashmë kaq e njohur për të gjithë, e dimë përmendësh, sikur motivet e një valleje që na con të kërcejmë që me notën e parë.
Ngjarjet dhe sjelljet e fundit tregojnë se këta lidera politikë shqiptarë nuk kanë mësuar dhe kuptuar asgjë nga ajo që Europa, Shtetet e Bashkuara dhe bota e qytetëruar me të cilën duam të ecim dhe bashkëpunojmë, kërkon. Nga ne shqiptaret, jo e jo./a.p